Rrugëtimi europian i AF Elbasanit në UEFA Conference League është mbyllur në raundin e parë kualifikues, pas një përballjeje të fortë dhe të ekuilibruar ndaj BATE Borisov.
Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”, verdheblutë zhvilluan një tjetër paraqitje pozitive në sfidën e kthimit, të luajtur në stadiumin “Mehdi Huseynzade”. Takimi përfundoi pa gola në kohën e rregullt dhe në shtesë, me të dyja skuadrat që nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës gjatë 120 minutave të lojës.
Elbasani tregoi organizim, disiplinë taktike dhe garë deri në fund përballë një kundërshtari me përvojë në kompeticionet europiane, duke mbajtur të hapur çështjen e kualifikimit deri te goditjet nga pika e bardhë.
Fati i sfidës u vendos te penalltitë, ku BATE Borisov u tregua më i saktë, duke fituar me rezultatin 5-4 dhe duke siguruar kalimin në raundin e dytë të UEFA Conference League.
Pavarësisht eliminimit, AF Elbasani largohet nga Europa me dinjitet, pas një rikthimi të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare pas 20 vitesh. Verdheblutë dhanë një sinjal pozitiv me paraqitjet e tyre në dy ndeshjet ndaj BATE Borisov, duke konfirmuar ambiciet dhe potencialin e klubit në skenën europiane.







