Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar rregullin për aktivizimin e detyrueshëm të lojtarëve të rinj në kampionatet kombëtare, i cili do të hyjë në fuqi duke nisur nga sezoni sportiv 2026–2027.
Ky vendim është pjesë e strategjisë së FSHF-së për zhvillimin e futbollit shqiptar, rritjen e mundësive për futbollistët e rinj dhe krijimin e një baze më të fortë për ekipet kombëtare
Gjithashtu, ky rregull përveçse synon rritjen e aktivizimit të futbollistëve të rinj shqiptarë në kampionatet kombëtare, rritjen e konkurrencës ndërmjet futbollistëve vendas, ka për qëllim krijimin e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi për dekadën e ardhshme.
Sipas rregullores së miratuar, në kampionatin Abissnet Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë, çdo skuadër do të ketë detyrimin të aktivizojë nga minuta e parë, për të paktën një pjesë loje, një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare.
Ndërkohë, në Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë dhe Kategorinë e Tretë, klubet do të duhet të aktivizojnë nga fillimi i ndeshjes të paktën një lojtar të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare, i cili duhet të luajë gjatë gjithë kohëzgjatjes së ndeshjes, përveç rasteve të parashikuara nga rregullorja.
Rregullorja përcakton gjithashtu se, në rast zëvendësimi të lojtarit që plotëson kriteret, ai duhet të zëvendësohet me një tjetër futbollist që përmbush të njëjtat kritere të moshës dhe shtetësisë. Nëse kjo nuk është e mundur, skuadra do të vazhdojë ndeshjen me një lojtar më pak për periudhën gjatë së cilës ekziston detyrimi i aktivizimit të futbollistit të ri.
Rregulli do të zbatohet për të gjitha ndeshjet e kampionateve përkatëse, si edhe për Kupën e Shqipërisë. Klubet janë përgjegjëse për regjistrimin e lojtarëve dhe respektimin e dispozitave të rregullores.





