Gjatë turneut para-sezonal që Manchester United po kryen, sulmuesi i ri Amad Diallo po bën një paraqitje të mirë. Ai është aktivizuar rregullisht nga trajneri Erik ten Hag, që duket se ka mbetur i kënaqur.
Aq sa duket se ka vendosur t’i japë një shans të qëndrojë dhe promovojë si titullar me ekipin e parë dhe jo ta largojë në huazimim siç ka bërë më parë. Vjet, Diallo realizoi 2 gola në 12 ndeshje zyrtare me “djajtë e kuq”, por u aktivizua me pikatore.
“Jam shumë i lumtur këtu. Mendoj se të gjithë janë të kënaqur me mua, sepse unë buzëqesh me të gjithë, sjell energji të mirë. Pse të mos qëndroj këtu gjithë jetën? Nuk ishte e lehtë për mua të kapërceja dëmtimin në parasezon”, tha Diallo.
“Sezonin e kaluar isha jashtë për një kohë të gjatë, por gjëja më e rëndësishme ishte të kthehesha më i fortë, të ndihmoja skuadrën dhe në fund harrova të kaluarën dhe tani mendoj për të tashmen”, u shpreh më tej sulmuesi nga Bregu i Fildishtë.
Duke folur për vitin e ardhshëm, ai tha: “Jam shumë i motivuar për të filluar sezonin, jam entuziast, besoj te trajneri. Sezonin e kaluar e di që nuk luajta shumë, por ky sezon do të jetë një sezon i mirë për të gjithë dhe unë jam shumë i motivuar për të filluar”.