Manchester United ka gjetur një armë të re sekrete për t’i ndihmuar ata të kthehen në top katërshe në Ruud van Nistelrooy, sipas ish-lojtarit Kleberson.
Legjenda e United, Van Nistelrooy, 48 vjeç, u rikthye në Old Trafford këtë verë pas një periudhe të suksesshme pesëvjeçare duke luajtur nën drejtimin e Sir Alex Ferguson, i cili e nënshkroi atë në vitin 2001.
Holandezi i është bashkuar stafit të menaxherit Erik ten Hag si ndihmës trajner së bashku me Rene Hake.
Kleberson, 45 vjeç, beson se ish-sulmuesi holandez do të jetë një ndryshim i madh pasi ai do të frymëzojë lojtarët që të rifitojnë mentalitetin e fituesve dhe të sfidojnë Arsenalin si dhe Manchester Cityn.
Braziliani fitues i Kupës së Botës 2002 di gjithçka për Van Nistelrooy pasi ata luajtën së bashku për dy vjet tek United.
Kleberson tha për SunSport: “Zgjedhja ime për njeriun kyç të sezonit nuk do të jetë një lojtar, por një pjesëtar i stafit teknik. Ruud Van Nistlerooy do të jetë njeriu kyç për këtë sezon.
“Ai ishte një lojtar i mrekullueshëm për United, ishte jashtëzakonisht i uritur për sukses dhe tani ai është në anën tjetër, lojtarët do të jenë në pritje të diçkaje vërtet të fuqishme.
“Kjo është arsyeja pse unë mendoj se çelësi për United do të jetë ai”.
Kleberson është i bindur se Van Nistelrooy, i cili shënoi 150 gola në 219 paraqitje te United, do ta ndihmojë Ten Hag të rizbulojë identitetin e vjetër fitues të titullit të klubit që u humb pas largimit të Ferguson.
Por për ta bërë këtë, ish-lojtari brazilian këmbëngul se Djajtë e Kuq fillimisht duhet të gjejnë “ekuilibrin e duhur” dhe “konsistencën”.
Kleberson shtoi: “United duhet të gjejë ekuilibrin e duhur. Ata gjithashtu kanë nevojë për qëndrueshmëri.
“Ata e nisin mirë, por më pas humbasin ndonjëherë, sezonin e kaluar humbën ndeshjet në shtëpi, humbën ndeshjet që po fitonin. Të jesh mes 4 të parëve në Premier League është shumë e vështirë tani.
“Ka kaq shumë skuadra të forta si Arsenali tani, për aq kohë sa ato mund të jenë të qëndrueshëm gjatë gjithë sezonit, ky do të jetë faktori kryesor përcaktues”.