Juventusi bën “pazar” me Fiorentinën. McKennie për Nico Gonzalez? Duhet kaluar kjo pengesë

3 Gusht 2024
7:30
Alfred Lleshi
back button

Prioriteti i Juventusit në tregun e transferimeve nuk është sulmuesi. Mbi të gjitha, Thiago Motta ka nevojë për një mbrojtës (emri më i nxehtë është Jean-Clair Todibo) dhe një mesfushor (dëshira e madhe mbetet Teun Koopmeiners), ndaj do të duhet pak imagjinatë në sulm. Rasti më i spikatur është ai i Karim Adeyemi.

Sigurisht që ai pëlqehet në klubin e Torinos, por Borussia Dortmund ka ngritur murin rreth talentit të vet sulmues. Dhe kështu, përballë një kërkese që shkon në rreth 50 milionë euro, Giuntoli duket i detyruar të kërkojë diku tjetër, pavarësisht një marrëveshjeje të përgjithshme të arritur tashmë me përfaqësuesin e gjermanit për një kontratë shumëvjeçare me vlerë 4 milionë euro në vit, plus bonuse.

Çmimi i Nico Gonzalez ka ardhur vazhdimisht në rritje në ditët e fundit, edhe falë një kanali të hapur dhe të rrjedhshëm komunikimi me Fiorentinën. Moise Kean tashmë është transferuar te vjollcët dhe sulmuesi italian mund të mos jetë i vetmi që do të bëjë lëvizje këtë verë. Pikërisht rreth kësaj pike ndërtohet historia.

Palladino është në kërkim të disa mesfushorëve dhe miratimi ndaj Weston McKennie (agjentët e tij do të jenë në Itali pas disa ditësh) nuk është mister, por amerikani nuk është i vetmi profil që merret në konsideratë nga vjollcët.

Problemi ka të bëjë me pagën që merr amerikani te Juventusi, por nëse do të gjendej një zgjidhje, qoftë edhe me pak imagjinatë, në fakt do të bëhej më e lehtë përfshirja e sulmuesit argjentinas në diskutime. Aq më tepër në dritën e përshpejtimit të Fiorentinës në këto orë për të tentuar të kapë Gudmundsson. Lajmin e ka bërë të ditur “Tuttosport”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit