Ter Stegen këshillon Yamal: Mbaji këmbët në tokë, ja çfarë ka ndryshuar Flick te Barcelona

3 Gusht 2024
8:10
Alfred Lleshi
back button

Ter Stegen do të jetë sërish një nga referencat e Barcelonës në sezonin e ri. Portieri gjerman e ka nisur parasezonin me shumë uri, entuziazëm dhe dëshirë për tituj. Më tej, portieri zbulon mënyrën e të punuarit të Hansi Flick dhe kërkon qetësi me një nga lojtarët në modë të momentit, Lamine Yamal.

Gjermani njeh ndikimin e madh që anësori i ri “culé” pati në “Euro 2024”, ku mahniti të gjithë botën e futbollit. Njëherazi kujtoi Xavin, si njeriu që i dha me guxim profesional shansin e të luajturit në ekipin e parë. Sigurisht, portieri blaugrana shpreson që Yamal t’i mbajë këmbët në tokë dhe të vazhdojë me të njëjtin qëndrim si deri tani:

“Xavi i dha atij mundësinë për të konkurruar në të gjitha ndeshjet. Pastaj është e vërtetë që Lamine ka diçka të veçantë. E kemi parë në ekip, e tregoi sa vlen edhe në Europian. Ai është një lojtar ndryshe, ende ka vend për t’u përmirësuar. Është një futbollist që bën diferencën, shpresoj të vazhdojë me këmbët në tokë, sepse kam dëgjuar tashmë se ka një të ardhme të shkëlqyer dhe më shumë… Për të duhet të jetë i rëndësishëm përqendrimi, të shijojë momentin. Yamal duhet të vazhdojë të punojë për skuadrën, siç ka bërë deri tani, të përmirësojë të gjitha aspektet, sepse është ende shumë, shumë i ri. Ky është vetëm fillimi për të”.

Lidhur me objektivat e Barcelonës, portieri gjerman shtoi: “Unë mendoj se skuadra është e përgatitur të luftojë për të gjithë titujt. I filluam me entuziazëm përgatitjet parasezonale dhe jam i bindur se kemi një skuadër të mirë për të konkurruar. Do të jetë një sezon shumë i gjatë, dhe të gjithë duam të konkurrojmë. Si synim kam titujt, sa herë që e vesh këtë fanellë. Do të jepja gjithçka për këto ngjyra”.

Ardhja e Hansi Flick në pankinë ishte, pikërisht, një nga pasojat që Barcelona nuk fitoi asnjë titull sezonin e kaluar. Ter Stegen sqaron se ende po e sheh mënyrën e të punuarit të gjermanit, megjithëse përkoi me të në kombëtare, por tashmë vë në pah ngarkesën fizike në stërvitje:

“Ka shumë intensitet, pjesa fizike është shumë e rëndësishme. Po punojmë shumë që të jemi të përgatitur gjatë gjithë sezonit. Hansi gjithmonë i ka dhënë shumë rëndësi aspektit fizik. Çdo trajner është i ndryshëm, ka filozofinë e tij. Hansi i jep shumë rëndësi kësaj çështjeje, shpresoj që kjo të na sjellë dobi dhe të na japë të gjithë forcën për të konkurruar në çdo kohë të sezonit”.

Për më tepër, portieri shpjegon se si do të luajë Barcelona në sezonin 2024-2025 me trajnerin e ri. Ai flet për një përzierje të futbollit të drejtpërdrejtë dhe ADN-së tradicionale blaugrana: “Hansi dëshiron të luajmë shumë shpejt përpara, të gjejmë momentin për të finalizuar.

Trajneri i ri kërkon shpejtësi në lojë volum pune, në mënyrë që të jemi perfektë në mbrojtje. Ne i kemi idetë shumë të qarta, personalisht jam i bindur se do të funksionojë. Pastaj mbeten gjërat nga e kaluara: duam të kemi topin, të dominojmë lojën dhe prej andej të gjejmë momentin vendimtar për të sulmuar”.

Ter Stegen duartroket, si Hansi Flick, punën e madhe që po bëjnë të rinjtë gjatë këtij parasezoni: “Ju mund t’i shihni se ata duan të bëjnë një vend për veten në formacion, janë shumë të emocionuar”.

Një tjetër nga emrat e përfolur është Lewandowski. Trajneri tashmë e ka bërë të qartë në më shumë se një rast peshën e tij të madhe në ekip, edhe portieri gjerman e ndan këtë pikëpamje: “Ne kemi nevojë për Robert në formën perfekte; të jetë 100 për qind në çdo ndeshje. Kemi nevojë që ai të jetë komod, t’i japim pasimet që i nevojiten, të cilat shpresojmë se do të jenë të sakta për të shënuar shumë gola. Nga kjo do të përfitojë krejt skuadra”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit