Chiesa i vetofrohet Barcelonës, klubit ku konsiderohet “zgjedhje e tretë”…

7 Gusht 2024
8:25
Alfred Lleshi
back button

Lajmi, mjaft i bujshëm, vjen nga “Sport”, një nga gazetat sportive katalanase më të informuara për gjërat te Barcelona. Në orët e fundit, Federico Chiesa iu është ofruar Blaugranëve në kushtet kur është bërë “dalje” te Juventusi dhe është në kërkim të një klubi të ri.

Për momentin, negociatat nuk kanë nisur me Barcelonën, e cila ka objektiva të tjerë në merkaton e kësaj vere. Për këtë arsye ka qëndruar e ftohtë karshi sulmuesit anësor italian, por nuk përjashtohen zhvillime të mëtejshme.

Barcelona në fakt është në kërkim të një anësori, por në këtë rol objektivi ka qenë dhe mbetet Nico Williams. Protagonist i madh me Spanjën në “Euro 2024”, megjithatë, Nico Williams nuk duket se po nxiton të ndryshojë ekip.

Në të vërtetë, anësori iberik është paraqitur rregullisht në seancat stërvitore të Athletic, me qëllim që të përgatitet sa më mirë për sezonin e ri në Bilbao. Me pak fjalë, Barcelona mund të presë. Gjithashtu, sepse Nico Williams është i lidhur me Athletic deri më 30 qershor 2027.

Kësisoji, Blaugranët mund të fokusohen në një tjetër lëvizje të madhe, pikërisht blerjen e Dani Olmo. Protagonist i kampionëve të rinj europianë të Spanjës, në këtë rast lojtari është i hapur për një transferim te Barcelona.

Megjithatë, nuk përjashtohet që, nëse Nico Williams nuk vjen, katalanasit mund të blejnë një tjetër anësor. Me pak fjalë, Federico Chiesa mund të përfaqësojë mundësinë klasike për t’u kapur ndoshta në fund të merkatos së kësaj vere nga katalanasit. Juventusi nxiton ta shesë për të mos e humbur falas në pak muaj dhe gjithashtu do të mjaftohej me 15 milionë euro.

Në këtë kuptim, rruga që e çon Chiesa te Barcelona nuk mund të përjashtohet. Pavarësisht thashethemeve, një shkëmbim që do ta çonte Chiesa menjëherë tek Interi me Frattesi mbrapsht te Juventusi duket se përjashtohet.

Në Itali mbetet një fije shprese për Romën, e cila tashmë ishte përpjekur më kot të nënshkruante me Chiesa disa javë më parë. Edhe Napoli është i interesuar për situatën e Chiesa, por në këtë rast një sërë faktorësh e bëjnë marrëveshjen të komplikuar në nivel ekonomik dhe mjedisor.

Ekzistonte edhe rruga që e çonte në Premier League, e cila konsiderohet destinacioni më i preferuar i Chiesa deri më sot.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit