Fanella e re e Interit në transfertë, frymëzim nga arkitektura dhe bota e modës në Milano

9 Gusht 2024
8:00
Alfred Lleshi
back button

Më pak se 10 ditë para fillimit të sezonit të ri, që do ta shohë Interin mysafir në “Ferraris”, kundër Genoa, klubi zikaltër ka prezantuar uniformën e re. Pas asaj vendase, tashmë të përdorur në një ndeshje miqësore, është radha e uniformës në transfertë, pra asaj të dytë.

Fanellë “me një ngjyrë të bardhë të pagabueshme dhe një dizajn inovativ, homazh për arkitekturën dhe botën e modës në Milano”. Kështu e përkufizon “Betsson Sport”, sponsori kryesor i Interit në njoftimin për shtyp.

Fanella e re e zikaltërve si mysafirë zë vendin e asaj të përdorur nga skuadra e Simone Inzaghit sezonin e kaluar, atë të yllit të dytë: e bardhë, me një brez diagonal zikaltër.

Fanella, siç shpjegon “Betsson Sport”, “ka një gamë gri, që merr frymëzim të qartë nga estetika gotike dhe industriale e qytetit ambrosian”.

Në ngjyrë të bardhë, uniforma është pasuruar me profile gri në shpatulla, bust dhe mëngë. Në qendër është trengjyrëshi, që me të drejtë i përket Interit. Në vend të një ylli mbi logon e zikaltërve, nga ky vit do të shfaqen dy të tillë për shkak të fitimit të titullit të 20-të në historinë e klubit. Një tjetër veçori është rikthimi i jakës, “një haraç për versionet e dekadave të kaluara”.

Kompleti i ri jashtë fushe, konfirmon Interi, ndërthur ngjyrat që rrjedhin nga arkitektura e qytetit me elegancën e sofistikuar të modës së lartë milaneze. Paleta gri, e përdorur nga stilistët që nga vitet 1970 dhe që e gjejmë në komplet, në fakt, merr frymëzim nga estetika gotike dhe industriale e Milanos, e përdorur ndër vite si sfond për koleksionet e reja të modës milaneze.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit