Fati i ka buzëqeshur mundësit shqiptar Islam Dudaev, i cili është “ripeshkuar” dhe do të vijojë të dielën aventurën e tij në Lojërat olimpike “Paris 2024”. Ai garon në peshën 65kg të stilit të lirë.
Dudaev, pasi u eliminua sot në drekë në fazën çerekfinale nga iraniani Rahman Amouzadkhalili, është po ky i fundit që i jep mundësit kuqezi “biletën” për të avancuar më tej.
Iraniani fitoi 10-0 sot pasdite sfidën gjysmëfinale ndaj hungarezit Iszmail Muszukajev dhe sipas rregullores, është Dudaev që avancon më tej, në “ripeshkim”.
Në fazën e parë të “ripeshkimit”, Dudaev do të përballet të dielën paradite me amerikanin Allen Retherford. Në rast se fiton këtë duel, mundësi kuqezi do të duelojë më pas për medaljen e bronztë.