Marcus Thuram ka ndërtuar një kujtim, që as babai i tij nuk e ka, duke shënuar një dygolësh në startin e Serie A. Lilian ka shënuar vetëm një gol në të gjithë karrierën e tij, kundër Kroacisë më 1998, në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, ndërsa Marcus e arriti këtë në “Ferraris”, kundër Genoa. Dy gola të bukur: i pari me goditje me kokë, pas krosimit të topit, ndërsa i dyti me një zhytje, në vetëm dy sekonda, pas inkursionit të bukur nga Frattesi.
Thuram është lojtari më i fortë i momentit për Simone Inzaghit. Ai e demonstroi këtë në Londër, duke “thumbuar” Chelsea në “Stamford Bridge” me atë goditje me këmbën e majtë nën këndin e sipërm, e konfirmoi veten edhe në ndeshjen e parë të Serie A, sezoni i ri.
Rezultati nuk i shpërbleu zikaltrit në fund, kur u “vulos” barazimi 2-2. Sidoqoftë, Thuram mori në shtëpi pllakën e “lojtarit të ndeshjes”, duke dhënë një mesazh të këndshëm për ata që e kishin parë të trullosur gjatë Kampionatit Europian.
Thuram u stërvit gjatë gjithë verës, duke ditur se një sfidante shtesë kishte mbërritur tek Interi. Mehdi Taremi shënoi gola dhe dha asiste gjatë gjithë parasezonit, duke marrë duartrokitje, brohoritje e komplimente. Iranianin e ndaloi vetëm një dëmtim muskulor, përndryshe do të kishte pasur shanse të startonte kundër Genoa.
Golat në miqësore e bindën trajnerin që të fokusohej tek ai si sulmues i tretë, por Thuram nuk u vu në dyshim kurrë. Marcus ishte njeriu që shënoi dy golat në derbi. Nënshkrimi më i mirë i Serie A për sezonin e kaluar, i ndjekur fort nga Milani, por u rrëmbye prej Interit për të luajtur duet me Lautaron. Ai që kishte një të kaluar të gjatë si sulmues i jashtëm. Në “Ferraris” dha gjithçka. Pesë goditje në portë, tri pritje të Gollini, dy mundësi të krijuara, pesë duele të fituara.