Nga prof. dr. Xhevdet Zekaj
Lexova një shkrim të këtij Ilir Demaliajt, të cilin realisht nuk e njoh fare, as e kam parë dhe dëgjuar ndonjëherë. Nga një lexim i shkurtër mësova se qenka një ish-thenmelues i PD. Nuk e di çfarë pune bën e me çfarë merret, por ditka gjithçka, kundërshton gjiothkënd, a thua ai paska shkopin magjik për të rregulluar PD, shtetin shqiptar. Ky njeri na jepka mend “majë krahu” që nga Amerika e largët, madje. Të merresh me Rudi Vatën, me librin e tij të promovuar në stadiumin e Celtic, në Skoci, dhe të kërkosh gjilpërën në kashtë, vetëm ky Ilir Demaliaj e bën diçka të tillë. Një person që për fjalën që shkruan e thotë nuk mban fare përgjegjësi. Pak a shumë fjala e tij në këtë qasje ngjan me “bajgën e lopës”, që e hedh në rrugë…
Ky libër, që promovon jetën dhe karrierën e një shqiptari të mirë, të ndershëm, model futbolli dhe suksesi, është për t’u lexuar e nxjerrë mësime nga brezi i ri, i cili duket se e pret sot gjithçka në ekranin e celularit, ku kalon më shumë se gjysmën e ditës. Do apo nuk do ky Demaliaj, analisti gjithollog, Rudi Vata ka qenë një futbollist i madh i klubeve ku ka luajtur dhe ekipit kombëtar. Një nga kapitenët kuqezinj më për t’u vlerësuar. Ajo që ka bërë Vata për imazhin e Shqipërisë, ky Demaliaj as mund ta imagjinojë si produkt të vetin e familjes së tij.
Se kush është Rudi Vata, mjafton të pyesësh ish-futbollistët e Dinamos, Vllaznisë, Tiranës, kombëtares. Kaq do të mjaftonte për çdo njeri me dy pare mend në kokë, të mos e përgojonte pa të drejtë. Si mund të dalë ky Demaliaj e të bëjë konluzione për Rudi Vatën, duke e quajtur futbollist mediokër e mesatar. Kush është ky që vendos “nota” e shpërndan “grada”?! Rudi Vata ka bërë histiorinë te Celtic, ndaj edhe libri i tij u prezantua në stadiumin e këtij klubi, ndër më të mëdhenjtë në Skoci.
Vallë, Celtic do të pranonte në gjirin e vet futbollistë mediokër e mesatarë, madje t’i promovojë edhe në “pensionimin” e tyre? Kurrën e kurrës, aty kanë vend vetëm vlerat e larta sportive dhe njerëzore. Historia e gjigantit skocez të futbollit e dëshmon këtë, në të cilën ka hyrë me meritokraci edhe Rudi Vata. Dhe dilka një pseudo-gazetar dhe analist, sepse realisht nuk e di se çfarë është ky dreq Demaliaj, që merr përsipër të njollosë gjithkënd.
Të thuash futbollist mesatar Rudi Vata dhe ta krahasosh me Demollarin, Mingën, Kolën, është një idiotësi së pari për pozicionet e secilit në fushën e blertë. Secili jep kontributet e veta në rolet si futbollist. Nuk mund ta gjykosh, fjala vjen, sulmuesin dhe mbrojtësin për golat e shënuar. Këtë e bën vetëm ky gjithollogu Demaliaj. Rudi Vata për repartin e mbrojtjes është në vlera Demollar, Kola, Minga, Haxhiu, Bizi, cilido të duash ti gjithollog.
Një gazetar mediokër për sportin, jo për fushat e tjera, sepse nuk të gjykoj dot atje, një njeri meskin dhe i vockël si ky Demaliaj, bën mirë të merret me sojin e vet. Të mundohet ai të njollosë Rudi Vatën, një përmendore e gjallë e futbollit shqiptar, thjesht ia rrit vlerat. Është pak a shumë si “miza e vockël në bythë të kalit”!!! Ai është simboli i shqiptarisë në Skoci dhe botë, kur Ilir Demaliaj, një llapaqen që bën sikur di gjithçka, por nuk ia ka haberin për asgjë, që s’ka mundur të bëjë dot asnjë karrierë, ka pështyrë edhe mbi PD, që pretendon se është themelues i saj. Nëse do të ishte kaq i zoti, natyrisht do të kishte kontribuar te PD, në Shqipëri, jo emigrant i frustruar në Amerikë, ku nuk e njeh askush.
Mos vallë, duke dashur të njollosësh Rudi Vatën, ti po don të koritesh në pleqëri? Ti Ilir Demalija nuk i afrohesh as hijes së Rudi Vatës në gjithçka, në sport e futboll jo e jo. Sipas teje, gabimi i madh i Rudi Vatës qenka thënia e tij se jam “armik” në vendin tim, ndaj edhe ika, u arratisa. Po, më 1991 iku, por Rudi Vata nuk e ka mohuar kurrë shqiptarinë, madje është mburrur kudo në emër të saj. Rudi Vata thotë jam “armik” me padrejtësitë e ngritura në sistem në vendin tonë, me servilët, ta paaftët, “mizat në bythë të kalit” si puna jote, që i thonë të zezës të bardhe dhe anasjelltas.
Ai ka karakter të fortë prej malësori dhe nuk bën kompromise me të keqen, ta thotë të vërtetën në sy. Ai ishte kapiten i kombëtares kuqezi, të drejtuar nga Bejkush Birce, kur lojtarët mezi vinin, nuk kishin uniforma për të veshur, bashkoheshin stacioneve të trenave para ndeshjeve, e ka treguar veten me vepra e jo fjalë sa e do Shqipërinë. Pastaj, karriera e tij flet vetë, ti je një liliput para saj. Demaliaj kërkon gjilpërën në kashtë, mbi të gjitha se paska thënë Rudi Vata se në Shqipërinë e diktaturës nuk na lejonin të mësonim gjuhë të huaja.
Se gjuhën e huaj e paska mësuar nga një prift, në fshehtësi të plotë. Po more zotëri, është e vërtetë se në diktaturë nuk të lejonin të mësoje gjuhë të huaja, anglisht e italisht, fjala vjen, por vetëm ato që donte Partia. Mos më fol për pas viteve 1985, po të jap eksperiencën time, që kam mbaruar më 1972 universitetin dhe punova direkt në Pukë. Kur fillova të mësoja fjalët e para në anglisht, në një fshat, jam thirrur dy herë në prokurori, ku më tërhoqën veshin pse duhet të mësoja gjuhën e revizionistëve dhe imperialistëve.
Kjo është e vërteta e gjuhëve të huaja në atë kohë, jo ajo që pretendon ti. Asokohe dominonte rusishtja në shkollat tona, filloi pak edhe frëngjishtja, gjuhët e tjera të huaja as mendohej fare. Disa herë je munduar të nëvizosh se Rudi Vata ka qenë futbollist mesatar ose më pak se kaq. Po kush je ti more burrë? Çfarë lidhje ke ti me sportin e futbollin, që të japësh “grada”? Cilat janë kriteret që zbaton, kur merr përsipër të vendosësh nota për futbollistët apo trajnerët shqiptarë?
Mos vallë dikush të ka paguar të shfrysh ashtu ndaj Rudi Vatës, sepse nuk ka mundësi që në një libër me 280 faqe të kapesh me vogëlsira. Në të, shumë specialistë të huaj, disa ish-lojtarë të mëdhenj të Celtic, shumë personalitet skoceze japin vlerësime maksimale për Rudi Vatën, por del ti e njollos gjithçka. Me të vërtetë në këtë rast të shkon shprehja “miza në bythë të kalit”.
Rudi Vata nuk ka nevojë fare për avokatinë time, por indinjohem si pjesë e sportit, ngaqë jam rritur me të si futbollist, e di mirë se çfarë personaliteti ka qenë dhe është për këtë sport. Ai mbushi boshllëkun e Mujo Targajt në kombëtare, gjë që nuk ishte aspak e lehtë. Është një njeri që e do fort atdheun e vet, por nuk ngurron t’ia vërë në pah të metat. Ai jeton në Skoci, por nuk ngurron të vijë shumë shpesh në vendin ku ka lindur.
Rrallë herë nuk e shikon në stadium, sidomos në ndeshjet e Vllaznisë dhe kombëtares. Po të kishe dëgjuar kritikat e Vatës ndaj të metave në futbollin tonë, edhe ndaj FSHF, do ta kuptoje se servilizmi nuk ekziston tek ai. Mbase për këtë gjë, për karakterin dhe burrërinë e tij, mundohesh ta njollosësh ti, sepse nuk ke të bësh fare vetë me këto virtyte njerëzore. Vata ka një vizion europian shumë më të përparuar se sa ty, që shkarrashkrimin tënd e ke si puna e “bajgës së lopës”…
Për futbollin t’i vish anash, por edhe qytetarinë, atdhedashurinë, personalitetin, familjarin model. Pasionin për futbollin e ka trashëguar te djali i tij, që po hedh hapa gjigantë tashmë në elitë. Ilir Demaliaj, je lilliput i vockël para Rudi Vatës, ndaj mos u mundo ta njollosësh, sepse balta bie vetëm mbi surratin tënd. Me ty në këtë rast vlen ajo shprehja: Majmuni, sa më lart mundohet të ngjitet në pemë, aq më shumë i duket bytha…
Edhe ti, duke dashur të “bëhesh i gjallë” duke u marrë me Rudi Vatën, thjesht shpalos mediokritetin tënd, sidomos në futboll. Mos kërko famë duke sulmuar një gjigant si Rudi Vata. Lexoje gjithë librin dhe do ta kuptosh sa i madh është ai, çfarë nderi i ka bërë Shqipërisë dhe futbollit shqiptar me karrierën e patëmetë. Nëse ti je mësuar të bësh kondrapedalin, bëje zotëri, por je i turpëruar në këtë rast.
Ti nuk mund të shtrembërosh të vërtetën, aq më keq të njollosësh dikë, që me shumë punë, sakrifica, ndershmëri e qytetari ka krijuar një emër të madh, ka nderuar shqiptarinë kudo ka luajtur e jetuar. Merru me diçka tjetër, ndoshta me politikën, sepse pis, si ata, je edhe vetë. Të merresh me Rudi Vatën nuk tregohesh asgjë më shumë se “miza në bythë të kalit…”