Interi “komploton” me Chiesa, nga Spanja zbulojnë “flirtin” Juventus-Barcelona

21 Gusht 2024
9:00
Alfred Lleshi
back button

Federico Chiesa është ende në ngërç për të ardhmen e karrierës. Ndarja e detyruar, e vendosur nga Juventusi pas negociatave të dështuara të rinovimit, është tashmë e qartë për të gjithë. Një vendim që mund të ketë pasoja serioze në shpresat e klubit bardhezi për ta shitur lojtarin në këtë merkato verore për të shmangur humbjen e tij falas kur kontrata t’i skadojë në qershor 2025.

Mundësi e “shijshme” për Interin, i cili në fakt nuk do të priste asgjë tjetër, duke ditur bëmat e Giuseppe Marotta në transferimet me parametra zero (falas). Sidoqoftë, mundësia e një shtytjeje në orët e fundit të merkatos, oferta me çmim përfundimtar 15-20 milionë euro, nuk është aspak utopi, sipas gazetës katalanase “Sport”. Largimi falas është një rrezik që Juventusi absolutisht ta evitojë, prandaj vazhdon të eksplorojë tregun e huaj.

Sipas asaj që u zbulua nga shtypi spanjoll, Chiesa mund të jetë alternativa më e mirë e Barcelonës për të forcuar krahun e majtë, duke pasur parasysh kontraktimin e vështirë të Nico Williams. Lojtari i kombëtares italiane dëshiron të mbetet i lirë për të nënshkruar me këdo qysh në janar. Përkundrazi, Juventusi dëshiron ta shesë menjëherë 26-vjeçarin diku tjetër dhe të shmangë forcimin e rivalëve të tij të drejtpërdrejtë (Milan dhe Inter).

Për këtë arsye, edhe nga ana e drejtuesve bardhezinj, Barcelona shihet destinacion perfekt. Edhe vetë ish-sulmuesi i Fiorentinës do të joshej për të luajtur në Champions League dhe futbollin spanjoll. Kushtet, sqaron “Sport”, duken të favorshme për të dyja palët, por Barça nuk do ta ketë me nxitim. Përpara se të bëjë një blerje të re do të duhet të regjistrojë në La Liga Dani Olmo dhe të shesë Lenglet e Vitor Roque.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit