Flick “ngre në qiell” Pedrin dhe Lewandowski, “driblon” pyetjet për “spektatorin” Olmo

25 Gusht 2024
8:43
Alfred Lleshi
back button

Hansi Flick u shpreh shumë i lumtur pas fitores bindëse të Barçës ndaj Athletic Bilbao. Trajneri gjerman pranoi: “Jam me të vërtetë i lumtur, pasi luajtëm shumë mirë gjatë gjithë lojës. Jam i lumtur edhe për Pedrin, mund ta shihni se çfarë na jep ai, pasionin, qetësinë. Është shumë mirë ta kemi atë, sepse na jep një ritëm tjetër”.

Në të njëjtën linjë, ai donte të falenderonte ekipin, përgatitësit fizikë, të gjithë stafin Teknik: “Të gjithë kanë bërë një punë të shkëlqyer me Pedrin, janë fantastikë. Ai është rikuperuar nga dëmtimi i fundit dhe është pothuajse 100 për qind. Sonte dhe ndaj Valencia na ka ndihmuar të kemi shumë ekuilibër. Pedri di si ta mbrojë topin, sjell pasion dhe kombinime të mira në ekip. Është fantastike ta kesh atë në fushë”.

Pasi zbuloi se “i thashë Nico Williams urime për Europianin e tij fantastik”, kur u përshëndetën, trajneri gjerman lavdëroi edhe Robert Lewandowski, golashënuesin që siguroi fitoren: “E njoh shumë mirë, kam punuar me të për një kohë të gjatë. Ai është 100 për qind në aspektin fizik. Kur përballet me topin është shumë i mirë, shtyp me pjesën tjetër të ekipit përpara. Në topat përpara kontribuon shumë.

Në pjesën e parë mund të kishte shënuar një ose dy gola. Ai është golashënues, golashënues i lindur. Sonte, goli i tij na dha tri pikët, pra fitoren. Robert është shumë profesionist, e merr shumë seriozisht çështjen e gjendjes fizike, është çështje trupi, jo moshe.

Kur ka një vizion pozitiv dhe është në formë, na jep shumë, sepse di të shënojë dhe të menaxhojë presionin. E pamë në pjesën e dytë, kur na duhej një gol pas barazimit të kundërshtarit. Kishim nevojë për një gol të dytë, ai pati rastin e tij dhe e shfrytëzoi më së miri. Robert është një lojtar i madh, me një karrierë të suksesshme, që përfshin shumë vite”.

Trajneri gjerman donte ta bënte të qartë se stili i tij është të mos justifikojë mungesat si ato të Dani Olmo, të pa regjistruar ende, apo të të lënduarve: “Gjithmonë përpiqem t’i shikoj gjërat nga ana pozitive, në çdo rrethanë. I kam thënë skuadrës se duhet t’i pranojmë gjërat ashtu siç vijnë dhe veçanërisht ato që nuk mund t’i ndryshojmë.

Pa asnjë keqardhje për atë që nuk mund ta ndryshojmë, nuk ka nevojë të kërkojmë justifikime, ekipi po punon mirë. Është e vërtetë që ka shumë të lënduar, madje disa nga sezoni i kaluar si Frenkie apo Gavi. Ansu është gjithashtu shumë më mirë, shpresojmë që të rikuperohet 100%. Christensen ka edhe probleme të mbartura nga sezoni i kaluar. Kjo është situata për të cilën duhet të kujdesemi. Nëse dikush nuk është 100 për qind nuk do të mund të na ndihmojë”.

Flick tha se nuk e dinte nëse do ta kishte Dani Olmon të martën e ardhshme në Vallecas: “Nuk e di, shpresoj se po, kam shpresë. Këto janë gjëra që duhet t’i pranojmë, sepse nuk mund t’i ndryshojmë. E dija tashmë se nuk do të ishte një detyrë e lehtë, por ajo që na duhet është të përqendrohemi në atë që duam. Sonte ajo që donim ishte të fitonim dhe merrnim tri pikët”.

Trajneri zbuloi një nga mesazhet e tij për skuadrën: “Mendoj se është gjithmonë mirë të përmirësohesh. Kjo është ajo që iu them lojtarëve, se çdo ndeshje është një hap përpara. Besoj se po shkojmë në drejtimin e duhur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit