Duket se Barcelona ka hequr dorë nga sulmuesi italian Federico Chiesa, për të cilin po interesohet më shumë Liverpool. Madje mediat britanike konfirmojnë se Liverpool pritet të kontaktojë me Juventus për të arritur një marrëveshje.
“Sky Sports” konfirmon se “reds” kanë bërë hetime për anësorin 26-vjeçar, i cili mund të largohet nga Juve. Barcelona është gjithashtu e interesuar për italianin, por po përpiqet të gjejë hapësirat e duhura financiare për ta regjistruar atë.
Për këtë arsye, Liverpool kërkon të nxitojë, për ta mbyllur marrëveshjen në ditët e mbetura të merkatos. Sot pritet që palët të ulen në bisedime për të gjetur një marrëveshje, ndërkohë që për Chiesa ka pasur interes edhe nga Arabia Saudite.
Është interesi nga Arabia Saudite që e ka bërë konkurrencën më të madhe për Liverpool. Juventus e vlerëson Chiesa 15 milionë euro, duke qenë se ka hyrë në vitin e fundit të kontratës. Liverpool është gati t’i japë atij një kontratë katërvjeçare.