Konfirmohet më e keqja për 17-vjeçarin e Barcelonës. Mbyll sezonin, do t’i nënshtrohet operacionit

28 Gusht 2024
13:59
Alfred Lleshi
back button

Mjerisht, prognozat më të këqija u konfirmuan. Marc Bernal ka pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior në gjurin e majtë dhe dëmtim të meniskut të jashtëm. Ekzaminimet e para, të cilave 17-vjeçari iu nënshtrua të martën në Vallecas, tregonin tashmë për një dëmtim të rëndë. Edhe testet mjekësore të kryera sot në Barcelonë konfirmuan diagnozën fillestare.

Bernal do t’i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim për të kapërcyer dëmtimin e gjurit. Barça konfirmoi pasditen e sotme seriozitetin e dëmtimit, ndonëse nuk ka raportuar ende se kur do t’i nënshtrohet operacionit. Gjithçka tregon se do të kryhet këtë javë.

Lëndimi i mesfushorit e ka tronditur shumë dhomën e zhveshjes blaugrana. Siç e pranoi vetë Hansi Flick në konferencën për shtyp pas ndeshjes kundër skuadrës së Iñigo Pérez, askush nuk e festoi fitoren kundër Rayo, sepse dëmtimi i Bernal errësoi gjithçka.

Lojtari i ri ka dalë nga akademia “La Masia”, teksa i kishte filluar si titullar të tria ndeshjet e La Liga-s për këtë sezon (Valencia, Athletic dhe Rayo). Ai kishte fituar besimin e trajnerit gjerman dhe shokëve të skuadrës gjatë parasezonit. Ky dëmtim paraqet një pengesë serioze në rritjen dhe përparimin e tij. Koha e rikuperimit të plotë është e gjatë, ndaj sezoni mund të konsiderohet i mbyllur për të. Fatkeqësisht, sapo kishte nisur, në fakt.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit