Wesley Sneijder beson se ai duhet të kishte fituar Topin e Artë 2010. “Po”, thotë troç ish-futbollisti holandez në një intervistë në ‘FAKT’.
Atë vit, trofeu shkoi për Leo Messin, me dy shokët e skuadrës të argjentinasit te Barcelona, Andres Iniesta dhe Xavi Hernandez, në vendin e dytë dhe të tretë.
Por, ish-lojtari i Inter-it mbetet i bindur se e meritonte.
“Nuk ka rëndësi, historia nuk mund të kthehet pas. Një gjë tjetër është e rëndësishme: më pyesin vazhdimisht për këtë çështje. Kanë kaluar shumë vite dhe shumë njerëz janë ende të mërzitur për vendimin dhe u vjen keq për mua.
“Kjo në vetvete është tashmë një shprehje e madhe mirënjohjeje për mua, një kompliment i madh, sepse do të thotë që për tifozët dhe gazetarët kjo temë nuk ka vdekur, por është ende aktuale”.
Sneijder shtoi:
“Për opinionin e njerëzve, unë kam statusin e viktimës, kjo më bën të lumtur dhe nuk e di nëse do të isha vërtet më i lumtur nëse do të kisha marrë Topin e Artë.
“Gjithashtu, e pranoj sinqerisht se ajo që gjithmonë kam ëndërruar të fitoj ishte Champions League, jo Topi i Artë, kështu që gjithsesi arrita gjënë më të rëndësishme”, tha ai duke iu referuar titullit që fitoi në 2010 me Inter-in, skuadër me të cilën fitoi edhe Kupën e Botës për Klube.