Gundogan, telefonata e Guardiolës e bindi të kthehej: Unë do të jem përsëri fqinji i tij

29 Gusht 2024
17:23
Alfred Lleshi
back button

Të shtunën, nga tribunat e stadiumit “Etihad” u ngrit një kor me 54 mijë tifozë të Manchester City, të cilët, duke përshëndetur zëvendësimin e Gundogan në minutën e 71-të kundër Ipswich Town, kënduan: “Gundo u kthye në shtëpi”. Pas një viti në Barcelonë, mesfushori gjerman ndihet sërish si në shtëpinë e tij në Angli, në një kuptim të dyfishtë.

Gündogan është zhvendosur në shtëpinë e tij të mëparshme në qendër të qytetit dhe bëhet sërish fqinji i Guardiolës, siç shpjegon ai vetë për “Bild”: “Unë e kam ende banesën e vjetër në Manchester. Kam qëndruar në të me vite të tëra, kështu që nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar asgjë”.

Një telefonatë me Guardiolën ishte vendimtare për rikthimin e tij te “qytetarët”, me të cilët bashkëpunimi mund të zgjasë edhe përtej karrierës së tij si lojtar, duke qenë se dëshiron të bëhet trajner, pasi “t’i varë këpucët në gozhdë”.

Pas ndeshjes, vetë Gundogan shpjegoi ndjenjat e tij: “Jam tepër i lumtur. I lumtur që shoh sërish shokët e skuadrës, stafin, njerëzit me të cilët kam kaluar 7 vite plot momente fantastike, momente suksesi të madh. Shumë ngritje, disa ulje, por në përgjithësi ka qenë përvojë e pabesueshme.

Kur largohesh nga ky klub, si unë sezonin e kaluar, fillon ta vlerësosh edhe më shumë. Ti e kupton se çfarë kishe, sa e mrekullueshme ishte ajo kohë. E kupton sa i madh është ky klub, më i miri në botë. Rikthimi pas një viti është ndjenjë e pabesueshme, ndihem shumë i lumtur. Ndihem i privilegjuar ta ndaj sërish dhomën e zhveshjes me këta lojtarë të jashtëzakonshëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit