Federico Chiesa mbërrin te Liverpool-i dhe ne pyesim veten nëse tashmë ish-lojtari i Juventusit do të jetë në gjendje të imponohet menjëherë në hierarkitë e Arne Slot, për të gjetur hapësirë si titullar në “Anfield”. Ndërkohë, ylli absolut i “Reds” bën deklarata të koduara për të ardhmen e tij. Po flasim për Mohamed Salah, kontrata e të cilit skadon më 30 qershor 2025.
Ja deklaratat e egjiptianit: “Sapo mbërrita për të nisur sezonin e ri mendova: Më ka mbetur edhe një vit, kështu që duhet ta shijoj maksimalisht. Nuk mendoj për kontratën, nuk mendoj për asgjë, por le ta shijojmë sezonin. Çdo javë është më e rëndësishme, thjesht mendoj për ndeshjen e radhës. Dua thjesht të ndihem sa më mirë këtu”.
E thënë ndryshe, fjalë jo tamam ngushëlluese për fansat e tij, që shpresojnë ta shohin me ngjyrat e kuqe për një kohë të gjatë. Ndërkohë, trajneri i të kuqve, Slot, foli për trashëgiminë e Jurgen Klopp në “Anfield”: “Është bukur të trashëgosh një ekip dhe individë kaq të veçantë, u pa edhe me rastin e golit të parë.
Luis Diaz e përfundoi shumë mirë aksionin, Salah fitoi një duel të rëndësishëm rreth zonës së penalltisë dhe Jota bëri një pasim fantastik në kohën e duhur. Nëse Klopp do të kishte qëndruar, me siguri do të ishte përpjekur të gjente disa gjëra, ku mund ta përmirësonte skuadrën. Edhe me mua skuadra luan pothuajse njësoj, e ka bërë kaq shpesh sezonin e kaluar. Duke trashëguar një ekip si ky, me të gjithë lojtarët që mbetën, u përpoqa të lë pothuajse gjithçka njësoj”.