Mesfushori i Manchester United, Mason Mount, ka pësuar një dëmtim të ri, i cili do ta mbajë jashtë fushës për të paktën pesë javë. Një ndalesë prej më shumë se një muaji për mesfushorin me tipare sulmuese, i cili u zëvendësua në pjesën e parë të ndeshjes së fundjavës së kaluar në Premier League kundër Brighton.
Mount i ka nisur si titullar këto tri ndeshje. Lëndimi i kofshës do ta bëjë atë të humbasë katër deri në pesë javët e ardhshme me “djajtë e kuq”, duke krijuar jo pak probleme për trajnerin Erik ten Hag.
Në rrjetet sociale, Mount tha: “Gjatë ndeshjes së fundit mora një dëmtim të vogël muskulor. Kam bërë një kontroll dhe duket se do të jem jashtë për disa ndeshje.
Përpara dhe gjatë para-sezonit, punova shumë për të rikthyer aftësinë time aty ku duhej dhe u ndjeva i rigjeneruar, mendjemprehtë dhe gati”.
Më tej, Mount shtoi: “Jam i frustruar. Do të bëj gjithçka që mundem për t’u rikthyer në formë dhe për të ndihmuar ekipin“. Vjet, dëmtimi i mesfushorit anglez ishte i rëndë, duke e kufizuar atë në vetëm 14 paraqitje në Premier League.