Erling Haaland e ka nisur shkëlqyeshëm këtë sezon të Premier League, me 7 gola në tri ndeshje. Ai duket ndryshe. Viti i kaluar ishte i mirë, por jo perfekt. Gjërat kanë ndryshuar dhe trajneri Pep Guardiola ka dhënë një argument mjaft interesant.
Sipas timonierit të Manchester City, kjo lidhet me freskinë fizike. “Pas sezonit të parë ai kishte vështirësi të dukshme, ndoshta për shkak se nuk kishte pushuar mjaftueshëm. Më kujtohet në fillim kur më thoshte se nuk kishte fuqi”, ka deklaruar Pep.
“Sot situata ka ndryshuar. Ai kalon rreth 20 minuta pas seancës stërvitore dhe praktikon mbylljen e aksioneve, kontrollin e topit dhe pasimet e shkurta. Duket lojtar edhe më i motivuar”.
“Sezonin e kaluar, ai nuk e ka bërë asnjëherë këtë dhe e mirëkuptoj, sepse nuk ndihej mirë. Ishte i lodhur, i mërzitur, të paktën për shumicën e sezonit. Tani jam i lumtur që ai ndihet më i qetë dhe më i freskët”, ka shtuar trajneri spanjoll.