Pse e shkarkoi Xavin, ardhja e Dani Olmo dhe dështimi me Nico Williams…; Laporta rrëfehet për gjithçka

4 Shtator 2024
10:40
Alfred Lleshi
back button

Joan Laporta, presidenti i Barcelonës, foli në një konferencë shtypi në fund të merkatos. Ai vlerësoi situatën që po përjetojnë Blaugrana-t: “Po punojmë për të forcuar ‘La Masia’ si bazën e projektit tonë sportiv. Kjo edhe falë anëtarëve, që na kanë dhënë stabilitet emocional, përndryshe do të ishte e pamundur ta shpëtonim klubin”.

Më pas Laporta kundërshtoi sulmet që vijnë nga jashtë: “Ato do të vazhdojnë, sidomos kur të bëjmë mirë. Tani rikthehet sërish rasti ‘Negreira’, i cili nuk tolerohet askund. Gjithashtu diskutohet nëse skuadra mbështetet nga klubi, një debat steril. Njerëzit që e kanë mbështetur Barçën kanë qenë gjithmonë të paepur, nuk do të na zhbilancojnë kësi kurthesh. Presidenti dhe bordi i drejtorëve marrin kritika, të cilat i pranojmë ato për t’u përmirësuar, por refuzojmë deklaratat për të destabilizuar Barçën. Ne jemi më të fortë se kurrë, me vendosmëri më të madhe për të përfunduar rimëkëmbjen e Barçës”.

Laporta vazhdoi më tej: “Kemi marrë shumë mësime nga jashtë, por ajo që po bëjmë është ta shpëtojmë Barçën në kohën më të shkurtër të mundshme dhe pa rrezikuar të ardhmen e modelin tonë si klub. Ne po ndërtojmë gjithashtu ‘Spotify Camp Nou’, i cili është pothuajse realitet. Pra, kjo ëndërr kaq e madhe po përmbushet me mbështetjen e anëtarëve të Barcelonës. Bordi drejtues ka bërë një punë të shkëlqyeshme për të rinovuar me të rinjtë e klubit, edhe në nënshkrimin e lojtarëve të sprovuar. Deco është arkitekti i nënshkrimeve të Dani Olmo dhe Pau Victor. Ne tashmë thamë se ishim të gatshëm të bënim një investim të madh. Deco është gjithashtu arkitekti i punësimit të trajnerëve atletikë. Është një nga çelësat e këtij fillimi shumë pozitiv të La Liga-s. Me Deco, fatura e pagave është ulur dhe cilësia e fuqisë punëtore është përmirësuar. Tani kemi më shumë vlerë tregu se në vitin 2021. Mosha mesatare ka rënë dhe unë jam i kënaqur, sepse po furnizohemi nga ‘La Masia’. Kjo ndihmon në qëndrueshmërinë ekonomike të klubit. Deco po përcjell njohuritë e tij. Ai ka qenë në shumë fronte në botën e futbollit dhe kjo i jep një vizion shumë të gjerë”.

A jeni të kënaqur me merkaton e verës?
Ne jemi të kënaqur me atë që kemi. Dani Olmo ishte prioriteti sportiv, të cilin e arritëm. Jemi shumë të kënaqur me të. Qendra e projektit tonë është ‘La Masia’ dhe Flick e ka demonstruar këtë, duke i vënë lojtarët e rinj në plan të parë. Jemi të emocionuar, por nuk duam të ketë eufori të tepruar.

Kur do të ktheheni në ‘Camp Nou’?
Gjithçka po shkon sipas planit për t’i luajtur aty ndeshjet e fundvitit. Ne nuk duam të caktojmë data specifike, por jemi të bindur se ky është një realitet i arritshëm. Gjithçka tregon, pavarësisht pengesave, se do të mund të luajmë deri në fund të vitit, kjo na emocionon.

Pse nuk erdhi Nico Williams te Barcelona?
Më lejoni të mos flas për lojtarë që nuk janë tanët. Nuk do të komentoj për aspektet e lojtarëve që nuk i kemi në skuadër. Ka shumë lojtarë që duan të vijnë te Barça, e dimë këtë nga agjentët e tyre, por mos harroni se klubi ynë është në proces të rimëkëmbjes së plotë ekonomike.

A do të dëshironit ta kishit Joao Felix dhe Joao Cancelo?
Në konfigurimin e ekipit që Deco dhe Flick bënë, të dy u vendos të mos inkorporohen. Ata ishin të huazuar dhe ndoqën rrugë të ndryshme. Joao është te Chelsea dhe Cancelo në Arabi.

A mund të na e shpjegoni lamtumirën e Gundogan?
Ilkay Gündogan është një lojtar dhe person i shkëlqyer. Viti që ishim me të ishte fantastik. Pas një takimi me Flick dhe një vlerësimi të situatës së ekipit, ai vendosi që të largohej. Është një vendim ekskluzivisht sportiv. Me përfshirjen i Dani Olmo, që kryen një funksion të ngjashëm me atë të Gündo, gjërat u diskutuan në nivel sportiv. Pra, ishte një vendim sportiv i lojtarit dhe i klubit. Kam dëgjuar se ishte një vendim ekonomik, por jo.

Çfarë kërkoni nga Flick?
I kërkojmë punë, profesionalizëm, të jetë një trajner që jeton dita-ditës me intensitet. Të jetë një trajner që luan futbollin që na pëlqen. Jemi dakord për gjithçka dhe ai po vendos themelet që të përmbushen objektivat. Është një njeri që nuk justifikohet, është i kënaqur me atë që kërkon, por ne nuk kemi vendosur asgjë konkrete në lidhje me titujt.

A do të qëndrojë Deco te Barcelona?
Kisha frikë për shëndetin e tij, sepse gjithçka ishte shumë stresuese. Merkatoja e verës është jashtëzakonisht stresuese, por nuk kisha frikë për vazhdimësinë e tij në klub. Kemi besim të mjaftueshëm reciprok, ai ndihet shumë komod. Ne mund ta shohim punën e bërë, ndaj jemi i kënaqur.

Si është situata rreth Superligës?
Superliga është ende në gjendjen e saj aktuale. Po punohet mbi platformën audiovizive të lançimit. Ky projekt e shtyu UEFA-n të lëvizë me formatin e ri të Ligës së Kampionëve. Tani po shpërndan 500 milionë të tjera. Numrat e Superligës janë shumë më tërheqës, por gjithçka që evoluon është e mirëseardhur. Jam i emocionuar për këtë format të ri Champions-i, ka më shumë ndeshje interesante.

Si janë marrëdhëniet mtuaja e Real Madridin?
Shumë të këqija dhe arsyeja doli në ‘çështjen Negreira’. Kemi shumë padi të rreme. Le të vazhdojnë të bëjnë atë që mendojnë, edhe ne gjithashtu do të bëjmë atë që mendojmë.

Si e trajtuat huazimin e Vitor Roque?
Për Vitor Roque kishte interes nga katër klube, përveç Betisit. Tani do të ketë mundësinë të tregojë se është një lojtar i madh. Shpresojmë t’i demonstrojë cilësitë e tij”.

Pse e shkarkove Xavin?
Xavi është një person që e vlerësoj shumë. Mendova, me kolegët e mi këshilltarë, se duhej t’i jepnim shtysë të re stolit. Ishte një vendim klubi. Unë i kam qenë gjithmonë mirënjohës Xavit. Ai erdhi në një moment të vështirë, fitoi një kampionat dhe një Superkupë, por sezonin e kaluar nuk shkoi aq mire. Me Xavin ruaj marrëdhënien e vlerësimit që kam për të.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit