Koopmeiners prezantohet te Juventusi: Jam gati për titullar dhe titullin, adhuroj stilin e Zidane

11 Shtator 2024
8:35
Alfred Lleshi
back button

Ishte krye marrëveshja e merkatos së verës në Serie A. Negociatat e gjata përfunduan vetëm me gongun final të transferimeve. Në fund, Teun Koopmeiners zgjodhi Juventusin. Përforcimi 60 milionë eurosh iu prezantua botës bardhezi: “Gjithçka ishte fantastike në këto ditë të para të miat si lojtar i Juventusit. Ishte bukur që kisha disa ditë për t’u përgatitur për ndeshjet dhe për t’u stërvitur me skuadrën”.

Kur vendosët të vini te Juventusi?
Më duhet të them se që fëmijë kam parë gjithmonë skuadra të ndryshme të mëdha, mes tyre ishte Juventusi. Kur mbërrita në Itali e kuptova se sa skuadër e jashtëzakonshme ishte, vazhdova ta ndiqja. Duke luajtur me Atalantën në këtë stadium isha në gjendje ta shijoja atmosferën. Mendova se do të ishte mirë të luaja me bardhezinjtë dhe kur u krijua mundësia, nuk kisha asnjë dyshim.

Kishte një periudhë të gjatë përpara transferimit tuaj te Juventusi, këtë verë. A keni pasur ndonjëherë frikë se marrëveshja nuk do të realizohej?
Po, ndonjëherë. Sidoqoftë, tani jam shumë i lumtur. Bota e futbollit ndonjëherë është e vështirë, madje edhe për lojtarët ka pak pasiguri. Në vetvete isha i bindur se marrëveshja do të materializohej, pati kontakte të shumta me agjentin tim. Unë kam qenë gjithmonë shumë i sigurt për klubin që doja dhe në fund ia arritëm qëllimit. Tani jam i fokusuar vetëm në ndeshjet e radhës.

Çfarë mendoni se keni përmirësuar në këto tre vite?
Është disi qesharake, sepse në Holandë kam luajtur edhe si qendërmbrojtës. Këtu në Itali kam luajtur në shumë pozicione, por preferoj të luaj në mesfushë. Do të doja të mësoja të luaja në shumë pozicione në fushë. Do të doja të bëhesha një lojtar më i kompletuar. Jam shumë mirënjohës për të gjitha përvojat që kam pasur.

Mund të jetë një imazh i 2 persona, njerëz që luajnë futboll, persona që luajnë futboll dhe teksti

Si po i përmbushni të gjitha këto pritshmëri?
Do të doja të falënderoja të gjithë tifozët, sepse pritja e tyre ishte fantastike, e pabesueshme. Edhe në stadium më pritën në mënyrë fantastike. Tifozët më bënë përshtypje. Më pëlqen përgjegjësia dhe kjo është ajo që kërkoj për veten time. Dua të punoj çdo ditë për t’i shërbyer skuadrës.

Si e zgjodhët numrin 8?
E zgjodha, sepse është një numër shumë i rëndësishëm. Unë gjithmonë kam luajtur me numrin 8 dhe jam rritur me këtë numër.

A ju dha ndonjë këshillë Thiago Motta?
Kam folur me trajnerin, ai më ka mirëpritur dhe është shumë kërkues. Ndjenja është shumë pozitive. Vura re që ka një atmosferë të mirë me të gjithë lojtarët. Pashë që ky grup ka urinë dhe energjinë e duhur, çka është pikërisht ajo që kërkoja.

Si jeni fizikisht? A jeni gati për të startuar?
Ndihem shumë mirë. Muaji i fundit ka qenë i vështirë për sa i përket stërvitjes. Jam stërvitur shumë intensivisht, u lumturova që luajta në ndeshjen e fundit. Tani jam gati të luaj që në minutën e parë.

A ka ndonjë lojtar të Juventusit që e admironi?
Zinedine Zidane. Ai ishte një burim frymëzimi për shumë lojtarë. Gjithashtu kam pëlqyer shumë lojtarë të tjerë si Andrea Pirlo, Marchisio, edhe për numrin 8. Shumë lojtarë të jashtëzakonshëm kanë kaluar këtu, unë përmenda vetëm disa.

A jeni gati për ta fituar titullin?
Juventusi ka fituar shumë tituj në historinë e vet, ky është një nga objektivat tona. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, sepse kanë ardhur lojtarë të rinj. Si fillim duhet të njihemi, të përshtatemi. Duhet të mendojmë për Empolin, pastaj PSV-në dhe Napolin.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit