Pep Guardiola, i cili e përfundon kontratën me Manchester Cityn këtë sezon, pranoi në maj 2024: “Realiteti është se unë jam më afër largimit sesa qëndrimit. Kemi folur me klubin dhe ndjenja ime tani është se dua të qëndroj. Do të qëndroj sezonin e ardhshëm dhe gjatë atij sezoni do të flasim”.
“Mirror” raporton ekskluzivisht se duke pasur parasysh largimin e mundshëm të Guardiolës në vitin 2025, pas 8 sezonesh të suksesshme (18 tituj), Manchester City menaxhon një fond transferimesh që do të kalonte 355 milionë euro.
“Pozicioni i fuqishëm financiar i Manchester Cityt është ndërtuar falë investimit të bërë nga pronari, Sheikh Mansour, pas ardhjes së tij në vitin 2008. Sidoqoftë, periudha e qëndrueshme e suksesit të paprecedentë nën drejtimin e Guardiolës e ka lejuar klubin që të hapë burime fitimprurëse të të ardhurave komerciale. Po kështu është rritur më tej aftësia e ‘qytetarëve’ për të gjeneruar shuma të mëdha përmes shkëmbimit të lojtarëve”, – shkruan Simon Mullock.
Në dy vitet e fundit, Manchester City, i cili po punon për rinovimin e “Etihad”, ka realizuar fitime që i kalojnë 130 milionë euro. Me këtë situatë në sfond, pronari, Sheikh Mansour, i ka kërkuar presidentit Khaldoon Al Mubarak të bëjë gjithçka që është e nevojshme për ta mbajtur Pep Guardiolën edhe përtej vitit 2025.
Sanksioni i mundshëm që Manchester City mund të marrë për 115 parregullsitë nën hetim mund të jetë vendimtar që Pep Guardiola të largohet nga “Etihad”.