Dëmtimi i Ismael Bennacer duket se nuk do të rihapë dyert e merkatos së transferimeve për Milan. Të paktën për momentin. Në pritje për të mësuar kohën që algjeriani do të qëndrojë jashtë fushave (përflitet 2-3 muaj), klubi kuqezi ka vendosur të mos trokasë sërish në derën e Adrien Rabiot, një lojtar i lirë luksi.
Një ofertë i ishte dërguar francezit kur dukej se Bennacer mund të largohej para fundit të merkatos, por ajo u refuzua sepse u konsiderua shumë e ulët. Kërkesat e lojtarit po largojnë gradualisht të gjitha skuadrat e interesuara për Rabiot. I vetmi që ka mbetur në listë është Galatasaray, ende në lëvizje.
Për momentin, nuk ka gjasa që Milan ta ngrejë ofertën edhe sepse nuk është as e sigurt që Rabiot do të pranojë duke qenë se kufiri i pagës së kuqezinjve është 7 milionë euro. Po aq sa kontrata e Leaos, ndërsa francezi aspiron shifra më të larta, duke qenë se 7 milionë ishte edhe rroga që merrte te Juventus.
Kështu, ardhja e Rabiot mbetet e vështirë edhe për një arsye tjetër: Ai nuk mund të luante në fazën e parë të Champions League, duke qenë se rregullat e UEFA-s nuk lejojnë ndryshime në reparte të tjera veç atij të portierit. Një lojtar që kushton sa francezi për të luajtur vetëm në Serie A do të ishte luks për kuqezinjtë.