Capello kritikon ashpër Leaon: Mjaft tekave të tij fëmijërore, është koha të bëhet burrë

13 Shtator 2024
9:05
Alfred Lleshi
back button

Sezoni i deritanishëm i Milanit ende nuk ka dhënë sinjale pozitive. Pas pushimit ndërkombëtar (ndeshjeve të kombëtareve në shtator) do të nisë “lakmusi” i vërtetë për Paulo Fosneca. Ndeshja e fundit e kampionatit kundër Lazios ngjalli polemika të shumta ndaj Rafa Leaos dhe Teo Hernandez, të cilët, të përjashtuar nga formacioni titullar, qëndruan larg trajnerit dhe bashkëlojtarëve gjatë pushimit për t’u freskuar e pirë ujë.

Situata brenda klubit është zgjidhur, por nga jashtë Fabio Capello kritikon sulmuesin portugez se si është sjellë në këto tri ndeshjet e para. Ish-trajneri i njohur italian, duke folur për “Corriere della Sera”, nuk kurseu kritikat ndaj lojtarit apo kuqezinjve, të parë si një skuadër në vështirësi të mëdha, që nuk ka mundur të bëjë një hap shtesë për të kapur rivalët e kreut të renditjes.

Tashmë në rolin e komentatorit televiziv, “Don Fabio” ishte mjaft i ashpër kur u pyet për Leao. Pritej që portugezi ta merrte përsipër Milanin e ri, nën drejtimin e bashkatdhetarit Fonseca, por deri më tani Capello nuk është aspak i kënaqur me atë që ka bërë në tri sfidat e para të kampionatit.

Ajo që e shtyn të shpërthejë është qëndrimi i lojtarit, për të cilin thotë se nuk është shumë i pjekur: “Gjithçka që ndodh te Milani duket se është faji i Leaos. Kjo situatë vazhdon, por është i vetmi që mund të krijojë një rrezik serioz te kuqezinjtë. Ka ardhur koha që pas tekave të tij fëmijërore të bëhet burrë”.

Immagine

Fokusi i tij më pas zhvendoset tek ekipi kuqezi në përgjithësi dhe ekuilibri i munguar në tri ndeshjet e para. “Djalli” nuk ka fituar ende në këtë kampionat (barazimet ndaj Torinos dhe Lazios, si dhe disfata ndaj Parmës), nuk ka treguar ende seështë konkurrent i vërtetë për titullin, pavarësisht transferimeve të reja dhe ndryshimit në stol.

Capello është vërtet skeptik për rrugën e Milanit: “Shpresoj të jem plotësisht i gabuar, por e shoh të vështirë rrugëtimin sezonal të kuqezinjve. Deri më tani kam parë një ekip në shumë vështirësi. Asgjë nuk ka ndryshuar në nivel organizativ në krahasim me sezonin e kaluar.

Do të duhet një shpërthim krenarie nga lojtarët. Ata do të duhet të demonstrojnë, pas asaj marrëzie në ndeshjen e fundit të bërë nga Leao dhe Theo Hernandez, se janë grup harmonik dhe vrapojnë në mbështetje të njëri-tjetrit. Ekuilibri është gjëja më e rëndësishme në një ekip futbolli”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit