Te Barcelona shënojnë të gjithë. Skuadra katalanase ka bërë një nisje spektakolare të këtij sezoni, reflektuar edhe sot me fitoren 1-4 kundër Gironës në transfertë.
Adoleshenti më i admiruar në glob, Lamine Yamal, shënoi dy golat e parë të takimit, duke mbyllur pjesën e parë me dopietën dhe spektaklin e tij personal. Asgjë për t’u habitur. Ai mund të jetë Leo Messi i ardhshëm dhe vetëm kështu mund ta tregojë.
45 minutat e dyta nuk patën asgjë më pak se e para. Dominimi i Barcelonës vijoi me të njëjtat ritme, pa harruar mbingarkesën e lojtarëve ofensivë në gjysmëfushën kundërshtare në lojën me top dhe pa top.
Dani Olmo dhe Pedri shpërndanë më tej listën e golashënuesve, duke shënuar golin e tretë dhe të katërt për katalanasit. Golin e vendësve e shënoi Stuani. Ndeshje fantastike, e gjitha për t’u shijuar dhe për t’u konsideruar si shenjat e rilindjes së Barcelonës.