Fundjava e legjionarëve kuqezinj / Ismajli “tmerron” Juventusin, spikasin me gola Manaj, Uzuni dhe Shpendi

16 Shtator 2024
9:59
Alfred Lleshi
back button

Faqja zyrtare në internet e FSHF-së ka bërë një bilanc të paraqitjeve të kuqezinjve në klubet respektive ku luajnë, në fundjavë. Nuk kanë munguar golat e lojtarëve të kombëtares sonë, si dhe ndeshjet e shkëlqyera, si Ardian Ismajli, i cili në sfidën Empoli-Juventus e “futi në xhep” serbin Dusan Vlahovic, sulmuesin kryesor të bardhezinjve. Ja çfarë shkruan FSHF-ja:

“Pas ndeshjeve me Kombëtaren në ‘Nations League’, legjionarët kuqezinj kanë mbyllur një javë mjaft pozitive në klubet e tyre, duke qenë protagonistë me gola dhe paraqitje shumë të mira. Dy nga sulmuesit e kombëtares shqiptare, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni u rikthyen te goli. Sivasspor fitoi ndaj Gaziantep me rezultatin 3-2 dhe Manaj gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 37-të.

Granada e Myrto Uzunit barazoi në transfertë me skuadrën e Elche, me rezultatin 2-2. Sulmuesi kuqezi u aktivizua në fillimin e pjesës së dytë dhe vendosi baraspeshën në minutën e 55-të. Te goli u rikthye edhe Cristian Shpendi. Sulmuesi i Shpresave shndërroi në gol një penallti në fundin e pjesës së parë. Në fund, sfida e Cesena ndaj Modena u mbyll në barazim 2-2 dhe për Shpendin ishte goli i tretë në kampionat.

Në Itali, Ardian Ismajli shkëlqeu në takimin ndaj Juventusit, duke u zgjedhur edhe lojtari i ndeshjes për Empolin. Mbrojtësi kuqezi ishte vendimtar me ndërhyrjet e tij në barazimin 0-0 që Empoli mori në shtëpi ndaj Juventusit. Një ndeshje shumë e mirë e Ismajlit, që u vlerësua me notën 7.5 nga sajti i specalizuar për statistika ‘sofascore’.

Lajmi tjetër i mirë nga kampionati italian ishte rikthimi në fushë i Berat Gjimshiti. Kapiteni kuqezi u dëmtua në grumbullim me Shqipërinë dhe nuk luajti në dy takimet e para të ‘Nations League’ ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, megjithatë Gjimshiti është rikuperuar dhe ishte titullar në fitoren e Atalantës me rezultatin 3-2 ndaj Fiorentinës.

Në Seria A, një ndeshje të mirë zhvilloi edhe Kristjan Asllani. Mesfushori kuqezi e nisi si titullar takimin në transfertë të Interit ndaj Monzës dhe në fund të sfidës nga zikaltërit vetëm Dimarco u vlerësua me notë më të lartë se Asllani.

Një formë të mirë me klubin e tij po kalon edhe Jasir Asani, i cili së fundi është përzgjedhur edhe lojtari më i mirë i muajit gusht në Korenë e Jugut. Një vlerësim mëse i merituar për Asanin që realizoi edhe dy gola me Gwangju në takimet ndaj Jeonbuk dhe Gangwon.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Arlind Ajeti, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Ylber Ramadani, Medon Berisha, Amir Abrashi, Arbnor Muja dhe Mirlind Daku ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Ernest Muçi, Arbër Hoxha dhe Nedim Bajrami”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit