Lamine Yamal, një mrekulli në duart e Barcelonës. Presidenti Laporta po studion rinovimin “stratosferik”

17 Shtator 2024
8:50
Alfred Lleshi
back button

Ndikimi stratosferik i Lamine Yamal, që nga debutimi i tij me Barcelonën e deri më sot, është aty për t’u parë nga të gjithë. Talenti azulgrana, i lindur në vitin 2007, po kalon faza të rritjes me një shpejtësi të pabesueshme, si në klubin katalanas, ashtu edhe me kombëtaren spanjolle, me të cilën fitoi Kampionatin Europian këtë verë. 3 gola dhe 4 asistime në 5 ndeshjet e para të La Liga-s janë shifra vërtet mbresëlënëse.

Klubi Blaugrana e di mirë këtë dhe nuk është i kënaqur me kontratën e nënshkruar pak më pak se një vit më parë, e vlefshme deri më 30 qershor 2026. Plani është gradual. Për të mbajtur një perlë me vlera të tilla, gjatë sezonit aktual, zbulon “Marca”, Barça do të përmirësojë kushtet e tij ekonomike, sepse tani fiton rreth një milion e gjysmë euro në vit, në mënyrë që paga të përshtatet me cilësinë e lojtarit.

Sidoqoftë nuk mbaron këtu, sepse Barcelona, së bashku me agjentin e Yamal, Jorge Mendes, bashkë me negociatat për rritjen e pagës së 17-vjeçarit, do të hedhin bazat e rinovimit të kontratës së tij. Tema është diskutuar tashmë nga të dyja palët dhe ideja është mbyllja e gjithçkaje në moshën 18-vjeçare të lojtarit, me kohëzgjatje deri në vitin 2030.

Bashkë me një rrogë, padyshim, të një kampioni absolut. Laporta e ka me nxitim këtë operacion, sepse nuk duhet harruar që sezonin e kaluar u përhapën thashethemet për një përpjekje serioze të PSG-së, me vlerë 200 milionë euro, për t’ia rrëmbyer Barçës këtë xhevahir nga duart.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit