Juric e nis me “helm” te Roma: Trajnerët varen nga rezultatet. E tha edhe De Rossi, pas shkarkimit të Mourinho

21 Shtator 2024
17:56
Alfred Lleshi
back button

Në konferencën e tij për shtyp, në prag të ndeshjes kundër Udinese, ku do të debutojë në stolin e Romës, Ivan Juric foli edhe për shkarkimin e Daniele De Rossit: “Mendoj se baza e shkarkimeve të trajnerëve ka të bëjë gjithmonë me rezultatet.

E tha edhe Daniele De Rossi këtë, kur zëvendësoi Mourinhon. Ekipi dha gjithçka për Daniele. Kjo është ndjenja ime. Ndonjëherë ka edhe probleme, por këtu nuk i kam vënë re. Skuadra dha gjithçka që kishte për trajnerin. Mendoj se e vetmja arsye e largimit të tij ishin rezultatet”.

Çfarë mendimi keni për 4 ndeshjet e para të Romës në këtë kampionat?
Për mendimin tim, herë ka pasur gjëra pozitive dhe herë negative. Në të njëjtat ndeshje kemi parë momente pozitive, ku është shprehur futbolli i mirë, edhe momente ku gjërat kanë qenë më keq. Këto aspekte sigurisht që duhen përmirësuar, por jo çdo gjë duhet hedhur poshtë. Për mendimin tim, Daniele ka bërë një punë të mirë, edhe për sa i përket organizimit dhe sjelljes së lojtarëve, të cilët janë mësuar të punojnë shumë mirë edhe nga ana fizike. Personalisht dua të përmirësoj disa gjëra që i kam konstatuar, mendoj se mund t’ia dalim.

Si ju duket Roma që morët përsipër ta kualifikoni në Champions League?
Pronarët e klubit ishin shumë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për atë që duhet të arrijmë. Për mendimin tim ata po bëjnë një ndryshim strategjie, në kuptimin që skuadra po bëhet shumë më e re. Te Roma ka shumë lojtarë për t’u rritur dhe zhvilluar. Ka një përzierje të mirë midis lojtarëve me përvojë dhe të rinjve. Natyrisht, ka shumë punë për t’u bërë. Klubit i intereson shumë zhvillimi i lojtarëve dhe sigurisht rritja e nivelit të skuadrës. Roma duhet të hyjë në Ligën e Kampionëve dhe të qëndrojë atje.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit