Shumë zhurmë për një barazim pa gola, në Juventus-Napoli “fiton” frika…

21 Shtator 2024
19:57
Alfred Lleshi
back button

Java e pestë e Serie A e ngriti siparin në fushën e Juventusit, ku mysafir ishte Antonio Conte me të tijtë. Pra, një ish-kampion badhezi si futbollist dhe trajner, kësaj here me misionin për t’i mposhtur torinezët. Ndeshje mjaft e fortë, e luftuar dhe me ritëm është zhvilluar mes këtyre dy skuadrave, që në opinionin futbolldashës italian shihen si rivalë dinjitozë të Interit në garën për titull.

“Zonja e Vjetër” vinte në këtë sfidë pa pësuar asnjë gol, teksa e ruajti edhe sonte portën e vet të paprekur, por nuk mori dot më shumë se një pikë. Barazimi i bardhë mbeti në fuqi deri në fund, pavarësisht përpjekjeve të shumta të dy skuadrave. Sidomos pjesa e dytë ishte më kërkuese. Fillimisht Politano drithëroi kuadratin e Di Gregorio, ndërsa Koopmeiners shpërdorioi një mundësi mjaft të mirë më vonë, rreth minutës së 70-të.

Beteja në mesfushë ishte shumë e ashpër, ndaj bardhezinjtë, të orientuar të luanin me shumë pasime dhe vertikalizime, vuajtëm për ta shënjestruar portën napolitane. Në kahun tjetër, Napoli përdori kundërsulmet, me topat që adresoheshin më së shumti te Lukaku. “BigRom” mbeti gjithsesi i izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës së tij, në “darën” e dy-tre mbrojtësve juventinë, që e markonin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Vlahovic, i mbetur në hije në këtë ndeshje.

Pas kësaj sfide direkte, Napoli ruan epërsinë e një pike karshi Juventusit (10 karshi 9), jo shumë larg nga kreu i renditjes. Bardhezinjtë e mbajnë zero kolonën e humbjeve, por regjistrojnë barazimin e tretë në këtë kampionat (si dhe 2 fitore).

Antonio Conte është rikthyer në “Allianz Stadium” si ish-lojtar dhe trajner për herë të parë, para tifozëve të Juventusit. Tashmë kishte qenë tri herë atje, por me tribuna të shkreta për shkak të Covid-19. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, ndeshja Juve-Napoli ishte e veçantë për të.

Nuk ishte një ndeshje dosido kampionati, edhe pse jemi vetëm në javën e pestë të Serie A. Kjo përballje mund të tregojë shumë për sezonin e skuadrave të Motta dhe Conte. Pra, nuk vlente vetëm pikët plus në renditje.

“Pas një kampioni, një njeri i madh”. Kështu e prezantua Szczesny nga spikeri i stadiumit, i cili hyri në fushë i emocionuar dukshëm. “Faleminderit shumë, ju falënderoj për 7 vite dashuri që treguat karshi meje, por mbi të gjitha për dashurinë që demonstruat muajin e fundit, kur rrugët e mia u ndanë me Juventusin. Më bëtë të ndihem i vërtet dashuruar, edhe pse e dija që nuk mund të ndodhte ndryshe. Kjo ka qenë dhe do të mbetet shtëpia ime”.

Më pas presidenti i Juves, Ferrero e shpërbleu ish-portierin bardhezi me një pllakë përkujtimore dhe fanellën 252, numri i paraqitjeve të polakut me Juventusin në 7 vite.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit