Më shumë se dy muaj më vonë, UEFA tërhiqet në një nga episodet më të diskutueshme të Kampionatit të fundit Europian, i cili ndoshta do ta kishte ndryshuar fatin e kompeticionit. Protagonist ishte Marc Cucurella me prekjen e tij me dorë të topit në zone. Kjo ndodhi në çerekfinale kundër Gjermanisë. Gjermanët bërtisnin “vjedhje” për vendimin e Anthony Taylor (i mbështetur nga VAR) për të mos dhënë penalltinë. Pas disa kohësh zbulojmë se gjermanët kanë pasur gjithmonë të drejtë në pretendimet e tyre për këtë “vjedhje”.
Ky nuk është ngushëllim, duke qenë se asgjë nuk do ta ndryshojë kurrë rezultatin e asaj ndeshjeje dhe eliminimin në çerekfinale të “Euro 2024”. Në të vërtetë, hapi prapa i UEFA-s rrit edhe më shumë zhgënjimin për një episod që me siguri do të kishte ndikuar në ndeshje. Ajo prekje e topit me dorë ishte penallti, tashmë edhe sipas vetë UEFA-s, dhe Taylor duhej t’i kishte rënë bilbilit, në vend që të vazhdonte lojën sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Episodi ku përfshihej spanjolli Cucurella ishte ndër më të komentuarit e Kampionatit Europian, madje nisi edhe një peticion online për ta riluajtur ndeshjen. Asgjë nga këto nuk ndodhi, edhe sepse UEFA kishte shpjeguar menjëherë në detaje se përse goli me dorë i Cucurella nuk ishte penallti, duke qenë se krahu i tij po zbriste në momentin e goditjes dhe ishte pas trupit kur u godit.
Tifozët gjermanë kurrë nuk e besuan vërtet këtë shpjegim dhe më shumë se dy muaj më vonë, “Relevo” gjeti dokumente që vërtetojnë se mikpritësit e kompeticionit kishin plotësisht të drejtë. Mediat spanjolle patën akses në informacione që bien ndesh me argumentimin fillestar të UEFA-s, të detyruara të shfaqeshin pas disa javësh analizash teknike.
Në fakt, Komisioni i Arbitrave të UEFA-s informoi gjyqtarët ndërkombëtarë se kishte një gabim shumë të rëndë në atë vendim: Taylor duhet të kishte dhënë penallti për Gjermaninë, sepse ishte prekje e qartë me dorë e topit nga Cucurella. Edhe VAR, gjithashtu duhet të kishte ndërhyrë për t’i rishikuar imazhet me detaje. I gjithë shpjegimi i dhënë fillimisht për rastin e dyshimtë është çmontuar, një ngushëllim shumë i vogël për Gjermaninë, që e di se nuk protestoi më kot për një gabim të bujshëm.
“Sipas rekomandimeve të fundit të UEFA-s, kontakti me dorë i topit, që parandalon një goditje në portë, duhet të ndëshkohet më ashpër. Në shumicën e rasteve duhet të jepet penallti, përveç rasteve kur krahu i mbrojtësit është shumë afër trupit ose sipër tij. Në këtë rast, mbrojtësi spanjoll e ndaloi goditjen drejt portës me një krah, që nuk ishte shumë afër trupit, por i hapur, ndaj duhej të ishte dhënë penallti”, – thuhet në shpjegimin e UEFA-s.