Materazzi: Kuqezinjtë e merituan fitoren në derbi, kanë të drejtë edhe ata tallen me ne

26 Shtator 2024
8:46
Alfred Lleshi
back button

“Shkoi keq, shumë keq. Kuqezinjtë e merituan fitoren, ndaj është e drejtë që edhe ata tallen me ne”. Kështu tha ish-mbrojtësi i Interit, Marco Materazzi, në margjinat e një ngjarjeje publicitare në Milano. Reflektim që vjen në javën pas derbit të Madoninës, që pa Milanin të triumfonte kësaj here. “Ka shumë faktorë që mund të ndryshojnë në këtë periudhë të vitit, si gjendja fizike.

Kampionati Europian sigurisht që ua hoqi përgatitjen e plotë parasezonale shumë lojtarëve tanë. Në momentin që skuadra të rifitojë gjendjen, besoj se do të mundë do të kthehet tepër e fortë. Duke thënë këtë, urime për ata që janë përpara nesh sot. Ata do të bëjnë gjithçka që munden për ta mposhtur Interin, por mendoj se do të duhet të merren me ne deri në fund”.

A mund të ndikojë për keq kjo rënie në këtë pikë të sezonit?
Për mendimin tim është ende herët për të bërë gjykime. Ka skuadra si Roma që ndërrojnë trajnerë pas tri ndeshjesh, në një mënyrë që nuk është plotësisht korrekte, dhe të tjera si Interi që e dinë se çfarë kanë bërë për shumë vite.

A janë Napoli apo Juve më të frikshmit si rivalë të Interit për titull?
Unë them Napoli, sepse nuk do të konkurrojë në Kupat e Europës. E di mirë se sa punon Conte me lojtarët e tij. Ata vendosën të zëvendësojnë Osimhen me Lukakun, sepse Antonio e pëlqen më shumë si sulmues. Besoj se edhe Napoli do të luftojë deri në fund për titullin.

A ka një Materazzi të ri përreth?
Është Bastoni, por edhe Barella e Dimarco. Të gjithë njerëzit që e duan Interin, besoj se do ta demonstrojnë nga e diela e ardhshme.

A jeni i zhgënjyer nga vendimi i UEFA-s për ta hequr finalen e Champions League 2027 nga “San Siro”?
Për mua është stadiumi më i bukur në botë, shpresoj që aty të luhen edhe shumë finale. Uroj të gjendet një zgjidhje.

A është Interi gati për ta synuar Ligën e Kampionëve?
Për mendimin tim, Liga e Kampionëve mund të jetë e bukur edhe për ne, por ka edhe më shumë variabla se në të kaluarën për fituesin. Duhet parë produkti i formatit të ri.

Çfarë nuk ju pëlqeu në trajtimin që mori De Rossi nga Roma?
Ai pësoi golin e barazimit kundër Genoa në minutën e 95-të dhe u shkarkua, edhe pse kishte ende tri vite në kontratë. Duhet të bëni paqe me trurin tuaj kur bëni zgjedhje të caktuara. Duke e trajnuar Romën, them se e përmbushi ëndrrën e tij. Është turp që nuk mundi ta çonte projektin përpara deri në fund, por sigurisht që e ka ndërgjegjen të pastër. Ai është një person kaq inteligjent, sa nuk preket nga ky shkarkim.

A jeni i befasuar nga qëndrimi i Interit në derbi?
Më befasoi shumë. Fatkeqësisht e kisha thënë edhe më parë: përgjithësisht të dobëtit e fitojnë derbin, kështu shkoi edhe këtë herë. Interi duhet të rizbulojë frymën dhe lojën e sezonit të kaluar. Ka kohë për t’u rikuperuar, por jo shumë. Disa pikë tashmë janë humbur gjatë rrugës, por në fund të fundit vendi i parë është tri pikë larg.

Ju dhe Ibra ndonjëherë ngacmoni njëri-tjetrin. Keni luajtur së bashku për tri vite, a ka diçka që ne nuk e dimë?
Dhe unë jam i habitur si e kemi kaluar mirë në ato tri vite së bashku, në një ekip.

Ju keni më shumë frikë nga Milani me drejtor Maldini?
Unë kisha më shumë frikë nga Milani i Maldinit, sepse e di punën që bëri dhe sa shumë kujdesej për ekipin kuqezi. Ai nuk mundi të bënte atë për të cilën ishte thirrur, por u largua me shumë dinjitet dhe ndershmëri. Shpresoj ta mbajë fjalën, se nuk kthehet më te Milani…

A është më e vështirë të fitosh sërish pasi ke ngritur trofeun e titullit kampion?
Të gjithë e denigrojnë kampionatin tonë, por unë besoj se është akoma më i miri në botë. Është më i balancuar se kudo tjetër.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit