Milani vazhdon me fitore, Fonseca: Derbi na ka motivuar më shumë, kemi ende për t’u përmirësuar

28 Shtator 2024
8:17
Alfred Lleshi
back button

Milani nuk gaboi dhe pas “oreksit të hapur” nga fitorja në derbi, u konfirmua “top” edhe ndaj Lecce, para tifozëve të vet, duke i dhënë përgjigje pozitive Fonseca.

“Vazhdimi me fitore pas derbit ishte shumë i rëndësishëm, – komentoi në fund trajneri kuqezi. – Fitorja ndaj Interit na dha besim, djemtë bënë një lojë serioze, patëm disa momente të mira në fazën sulmuese, madje arritëm të mos pësonim gol”.

Megjithatë, në gjysmë orën e parë, Milani luftoi për t’u bërë i rrezikshëm: “Kjo skuadër duhet të mësojë t’i luajë këtë lloj ndeshjesh. Loja jonë pozicionale duhet të jetë e ndryshme, – vazhdoi Fonseca për DAZN. – Ka situata të ndryshme në të cilat mund të bëjmë më mirë, në pritje të hapësirave dhe momentit të duhur. Ne jemi mësuar të luajmë kështu, duhet të përmirësohemi shumë kur përballemi me kundërshtarë më të mbyllur, që nuk na japin hapësirë”.

Milani ndryshoi diçka edhe në nivelin mbrojtës, me kërkesa të ndryshme ndaj mbrojtësve të krahut, të cilët iu afruan mbrojtësve qendrorë: “Në ndeshjet e para ishim shumë të ekspozuar, kishte shumë hapësirë ​​mes mbrojtësve tanë. Ndryshuam diçka duke kërkuar ndihmë nga mesfushorët, por edhe në këtë rast është çështje pune dhe përmirësimi. Në 30 metrat e para të fushës duhet të jemi më agresivë”.

Leao dhe Pulisic ishin sërish protagonistë, me amerikanin që shënoi: “Në këtë mënyrë, Christian është më i përfshirë në lojën tonë. Në periudha të ndryshme mund të luajë më në qendër ose më gjerë. Duke luajtur më në qendër ai është më afër zonave të nxehta, prej nga vijnë golat, asistimet dhe vendimet e rëndësishme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit