Arteta në prag të duelit me PSG-në: Jam fans i Luis Enrique, ai ka fituar gjithçka në karrierë

30 Shtator 2024
14:55
Alfred Lleshi
back button

Pas fitores 4-2 të së shtunës ndaj Leicester Cityt, Mikel Arteta është rikthyer në konferencë për shtyp për të folur mbi ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër PSG, e planifikuar për të martën në orën 21:00.

Për ndeshjen e parë në shtëpi të Ligës së Kampionëve këtë sezon: “Mezi po e presim. Këto janë mbrëmjet që duam t’i përjetojmë, aq më tepër kundër një kundërshtari të jashtëzakonshëm. Ne jemi gati për këtë”.

Qasje të ndryshme rezultative në këtë periudhë: “Kemi pasur shumë mënyra të ndryshme loje, e vërtetë. Kundër Manchester City duhej të luanim një lojë shumë të ndryshme në pjesën e dytë dhe në fund humbëm dy pikë në minutën e fundit. Bëmë mjaft duke luajtur kundër një blloku të ulët si kundër City, por duke parë ndeshjen dhe sasinë e gjërave që krijuam, isha shumë i lumtur me skuadrën”.

Për kohën e tij te PSG si lojtar: “Ishte përvoja ime e parë profesionale, një kohë e jashtëzakonshme. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës klubit parizien dhe Luis Fernandez, sepse besoi tek unë kur isha 17-18 vjeç”.

Për fitoren kundër Leicesterit: “Kjo ndeshje formoi karakterin dhe fizikun e skuadrës, e cila tashmë ka sigurinë se mund të fitojë në çdo kontekst dhe të përshtatet në kontekste shumë të ndryshme gjatë lojës. Liga e Kampionëve këtë kërkon, të luani kundër kundërshtarëve të fortë dhe me ritëm maksimal për 95 minuta”.

Netët e Champions-it në “Emirates Stadium”: “Të gjithë i presin me padurim. Na ka munguar për disa vite, sezoni i kaluar ishte i pari në shumë vite. Faza e grupeve është pak më ndryshe këtë sezon, kundërshtari me të cilin përballemi është ndoshta në nivelin më të lartë me të cilin mund të përballesh në futbollin europian. Sinqerisht është një mundësi e mirë për ne të shohim se si mund t’i përballojmë këto netë, sa të përgatitur jemi dhe si mund të imponohemi në këtë lloj konteksti”.

Për marrëdhënien e tij me Luis Enrique: “Kam një buzëqeshje në fytyrën time, jam admirues i madh i tij. Një personalitet i jashtëzakonshëm, një karakter i madh, gjithmonë shumë mbështetës për lojtarët e rinj. Çfarë më pëlqen tek ai është se kudo qoftë, si lojtar apo si trajner, gjurmët e tij mbeten. Qasja e tij ndaj jetës, ndaj profesionit është diçka për t’u vëzhguar me të vërtetë. Kam mësuar shumë gjëra prej tij”.

Vlerësimi i tij për PSG-në: “Ata janë vërtet të ashpër, të jashtëzakonshëm dhe dominojnë çdo fazë të lojës. Kanë një qëllim shumë të qartë se si duan ta dominojnë lojën përmes topit. Edhe kur nuk e kanë atë, duan të kthehen menjëherë në zotërim të tij. Janë shumë agresivë gjatë lojës”.

Për rëndësinë e ndeshjes dhe përballjen me Enrique: “Natyrisht që duam ta fitojmë ndeshjen, sidomos pas barazimit me Atalantën. Asgjë nuk do të vendoset në këtë ndeshje për Luis dhe mua, por duam të bëjmë më të mirën për klubet tona. Luis ka fituar pothuajse çdo kompeticion që mund ta imagjinoni në karrierën e tij, ka transformuar një klub si PSG me një identitet shumë të qartë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit