9 lojtarë blaugrana rivalizojnë për 3 pozicione; “problem i bekuar” për Hansi Flick

5 Tetor 2024
11:44
Alfred Lleshi
back button

Me rikthimin e De Jong në ndeshjen e së martës në Ligën e Kampionëve dhe me Dani Olmo, Gavi e Fermín, që po përballen me fazën e fundit të rikuperimit të tyre, Hansi Flick ka një “problem të bekuar”, që po i vjen. Pas pushimit (prej ndeshjeve të kombëtareve) pritet që të tre të lënduarit të marrin lejen mjekësore dhe trajneri gjerman të gjendet me 9 lojtarë për 3 pozicione. Kjo, pa llogaritur Marc Bernal, i cili do të jetë jashtë fushave për gjithë sezonin, apo Christensen.

Dani Olmo, De Jong, Pedri, Gavi, Pablo Torre, Fermín, Casadó, Raphinha dhe Eric García janë duke luajtur për dy pozicionet e mesfushës dhe atë të “playmakerit”. Deri më tani, mesfusha katalanase është një nga repartet që ka pësuar më shumë ndryshime. Trajneri gjerman ka bërë, duke llogaritur La Liga-n dhe Champions League, pesë kombinime të ndryshme.

Pedri është futbollisti që ka zënë më së shumti një nga pozicionet e “pivotit” të dyfishtë, me 7 startime, i ndjekur nga Casadó me 6 startime. Eric është një tjetër nga burimet e Hansi Flick. Trajneri gjerman po vë bast për katalanasin si mesfushor dhe jo në pozicionin e tij natyral, si qendërmbrojtës. Këtë të diel, me rikthimin e De Jong, trajneri gjerman ka problemin e parë në formimin e mesfushës.

Sa i përket mesfushorit, opsionet janë gjithashtu të shumta. Pedri, Pablo Torre, Dani Olmo dhe vetë Raphinha kanë qenë bastet në këtë fillim sezoni. Dhe, pas pushimit për shkak të angazhimeve të kombëtareve, me rikuperimin e ish-lojtarit të Leipzig, Gavi dhe Fermín, alternativat ngrihen në qiell. Më tej, katalanasi, i cili është planifikuar të rikthehet në skuadër për ndeshjen kundër Sevilla, të dielën, më 20 tetor, u paraqit në një nivel të shkëlqyer në minutat që pati kundër Rayo Vallecano dhe Girona, para se të hynte në “infermieri”.

I vetmi që mund të largohet nga ekuacioni i mesfushës është Raphinha. Braziliani është në nivel spektakolar dhe ka marrë krahun e majtë. Pjesëmarrja e tij pas Lewandowski duket më shumë si një zgjidhje e njëhershme, ndonëse Flick e ka përdorur aty 4 herë, edhe këtë të martë kundër Young Boys.

Hansi Flick ka arritur të marrë performancë maksimale nga një skuadër e ngarkuar plotësisht me dëmtime. Me rikuperimin e disa prej lojtarëve që janë të destinuar të jenë të rëndësishëm, do të duhet të shohim se si trajneri gjerman do të rindërtojë ekipin. Tani për tani, kjo dhimbje koke e këndshme është servirur tashmë. 9 lojtarë blaugrana do të rivalizojnë për 3 pozicione.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit