Përgjigja kurioze e Guardiolës ndaj lutjeve të tifozëve të Manchester Cityt për të qëndruar

5 Tetor 2024
12:06
Alfred Lleshi
back button

Në konferencën për shtyp para ndeshjes së Manchester City kundër Fulham, Pep Guardiola u pyet për diçka vërtet kurioze. Tifozët vendas kishin paguar për një banderolë të konsiderueshme, në të cilën shkruajtën spanjisht një lutje për të, që të qëndrojë në krye të “qytetarëve” edhe pas këtij sezoni.

Pyetja (edhe fakti, për të cilin nuk ishte në dijeni) e ka habitur trajnerin spanjoll, i cili nuk ka ngurruar të përgjigjet në mënyrë kurioze. “Disa fansa kanë mbledhur para për një pankartë në nderin tuaj, të cilën do ta shpalosin nesër (sot) në stadium. Në të është shkruar spanjisht: ne duam që ju të qëndroni.

Së pari, çfarë mendoni për njerëzit që bëjnë këto gjëra? Dhe cila është përgjigja juaj për këtë, për këtë ndjesi?” – ka qenë pyetja që i ka bërë gazetari Guardiolës, i cili nuk ka ngurruar t’i përgjigjet me kureshtje:

“Duhet të ma sjellin faturën dhe do ta paguaj unë koston e banderolës. Nuk dua që tifozët të shpenzojnë. Mund t’iu them shumë faleminderit, jam ndier i dashuruar që nga dita e parë që erdha këtu”.

Duke folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Fulhamit, Guardiola i ka “injoruar” për të disatën herë gazetarët, që e kanë pyetur nëse ky do të jetë sezoni i tij i fundit në krye të Manchester City: “Unë nuk do të flas për këtë. Kur të ndodhë, do të ndodhë.

Unë jam pjesë e këtij klubi deri në kocka, mënyra më e mirë për ta mbrojtur është të fitosh. Do të vazhdoj ta bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme. E dua këtë ekip, kështu do të jetë gjithmonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit