Nëse prioritet te Juventusi është zëvendësimi i Bremerit, drejtori Cristiano Giuntoli po punon për t’i siguruar më shumë “dhurata” Thiago Motta-s nën pemën e Krishtlindjes. Duke filluar nga rinovimi i Dusan Vlahovic (kontrata e tij skadon më 2026), autor i 48 golave në 110 paraqitje për bardhezinjtë.
“Jemi në kontakt me përfaqësuesit e tij, kemi shumë besim për të ardhmen. Dusan është një lojtar i madh, po i shijojmë paraqitjet e tij”, – shpjegoi Giuntoli para Juve-Cagliari.
Linja e komunikimit me agjentin e DV9 është riaktivizuar, çka konfirmon se Vlahovic është vërtet i intriguar nga mundësia e rinovimit me “Zonjën e Vjetër”.
Një marrëveshje, nënvizon “Gazzetta dello Sport”, nuk ekziston ende, por dëshira për të arritur një fund të lumtur filtrohet qartë nga të dyja palët. Kështu shpjegohen kontaktet e fundit me përfaqësuesit e sulmuesit serb dhe samiti i planifikuar për në fund të muajit. Në “Continassa” do ta donin “tymin e bardhë” të kësaj marrëveshjeje afër Krishtlindjes, por janë të vetëdijshëm se mund të zgjasë më shumë.
Vlahovic aktualisht fiton 8 milionë euro neto në sezon, shifër që bëhet 10.5 milionë falë bonusit të besnikërisë nga ky sezon, ndërsa më 2025-2026 bonusi i garantuar do të rritet në 4 milionë dhe do të shkojë në 12 milionë në total. Juventusi padyshim synon t’i bëjë kostot e përgjithshme më të qëndrueshme.
Prandaj, dy opsionet që studiohen dhe negociohen janë të tilla: një zgjatje 1-vjeçare (2027) ose 2-vjeçare (2028) me idenë e shpërndarjes së primeve (për një periudhë më të gjatë) dhe mbi të gjitha amortizimin vjetor të çmimit. Juventusi do të kishte përfitime më të mëdha ekonomike të menjëhershme dhe më shumë diferencë për të përmbushur kërkesat e qendërsulmuesit serb.