I lënë jashtë ekipit në Serie A, prej një muaji edhe pa luajtur fare me Lazion, megjithatë Hysaj duket se e ka venin e sigurt në kombëtare. Ai luajti mbrëmë ndaj Çekisë, madje si kapiten. Një paraqitje mesatare e tij, pa ndonjë “shkarje” të madhe, si pjesë e stonaturës së përgjithshme kuqezi. Humbja 2-0 u analizua kështu nga veterani i mbrojtjës së kombëtares:
“Besoj që kjo është ndoshta e vetmja ndeshje ku kemi luajtur pak keq, sepse me Ukrainën dhe Gjeorgjinë kemi bërë mirë. Pastaj, nëse Gjeorgjia realizoi supergol dhe e fitoi ndeshjen ndaj nesh, nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Sonte besoj me të vërtetë se ishte një ndeshje poshtë nivelit tonë.
Duhet ta kuptoni se kemi arritur nivel të lartë si kombëtare, ndaj kundërshtarët na marrin seriozisht. Nuk është si dikur që po luajmë me Shqipërinë dhe na marrin më lehtë. Tashmë e dinë të gjithë se jemi një skuadër e mirë, një skuadër që provon të luajturin futboll. Çekia kishte shumë motivim për ta fituar ndeshjen, që në minutat e para tregoi agresivitet të lartë ndaj nesh.
Duhet të jemi të qetë në fushë, sepse me rezultatin 1-0 mund të shënonim për 1-1 dhe ndoshta në fund e fitonim ndeshjen. Nuk i dihet kurrë futbollit. Të kuptojmë që kemi bërë gabim në këtë ndeshje, të jemi të përqendruar ndaj Gjeorgjisë, sepse kemi mundësi të marrim pikë.
Nuk jam keq, sepse stërvitem gjithmonë me Lazion. Jam në ekip ditët e javës, në çdo stërvitje. Thjesht nuk luaj në fundjavë, por ka punuar me veten, i bëj kilometrat e mia. Normale, stërvitja nuk është njëlloj si të luash në ndeshje, por mundohem të bëj më të mirën kur vij në kombëtare.
Ndaj Gjeorgjisë, 1-0 mbaroi ndeshja, nuk besoj se kemi qenë aq të lodhur në mbrojtje. Ata shënuan një supergol. Ne luajtëm lojën tonë, kishim rastet tona, por nuk i shfrytëzuam mirë. Kësaj Shqipërie duhet t’i rritet entuziazmi, që kishim para Europianit.
Asokohe ishte kënaqësi si luanim në ndeshje, si i dëgjoje tifozët, sepse na mbështetin shumë. Na vjen keq që biem pre e kësaj pakënaqësie a nuk e di se çfarë mund të jetë. Është me të vërtetë nder ku vjen këtu në kombëtare, vitet kalojnë e ndoshta pastaj do të na mungojë kjo pjesë”.