Një sherr i bujshëm ka ndodhur në Camp Nou ditën e djeshme.
Këtë herë protagonistë nuk janë futbollistët, por rreth njëzet punëtorë që po rinovojnë stadiumin e Barcelonës. Nuk dihen arsyet e përplasjeve, ajo që dihet është se 6 persona kanë mbetur të plagosur dhe ka qenë e nevojshme ndërhyrja e policisë për qetësimin e situatës.
Sipas El Pais, oficerët morën një telefonatë në orën 14:30 duke i njoftuar për përleshjen e madhe. Disa makina të policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë identifikuar punëtorët e përfshirë.
Shumica vijnë nga Shqipëria dhe Rumania dhe janë punësuar nga një kompani nënkontraktuese. Menaxheri, pasi ka verifikuar sjelljen e punëtorëve, ka shkarkuar të gjithë personat e përfshirë, por askush nuk është arrestuar.