Presidenti i FSHF, Armand Duka, u shpreh shumë i lumtur pas fitores së kombëtares me Gjeorgjinë (0-1).
“Çdo ndeshje e kombëtares është shumë e rëndësishme. Jam i lumtur që lojtarët arritën të fitojnë dhe ta merrnin atë që meritonin. Ata meritonin shumë më shumë se këto dy humbjet e fundit”.
“Kemi një objektiv shumë të vështirë. Kush mendon se kemi dy ndeshje në shtëpi dhe e kemi të lehtë, e ka shumë gabim. Ndoshta kështu e mendoi edhe Gjeorgjia sot. Ukrainën që kemi ndeshjen e parë në Tiranë është ekipi më me kualitet në grup, pavarësisht se është me 3 pikë”.
“Shpresoj të kemi një paraqitje sa më të mirë përpara tifozëve tanë. Nuk më intereson sa ndeshje ka humbur apo ka fituar Gjeorgjia në shtëpi. Më intereson që fituam ne dhe e merituam. Padyshim që nuk mund t’i kemi të gjitha ndeshjet si kjo, pasi përndryshe nuk do të ishim Shqipëria, por do të ishim Spanja. Nuk po them që do të ishim Anglia, sepse edhe ajo humbi me Greqinë”.
“Nëse e mendojmë me gjakftohtësi, Gjeorgjia nuk na rrezikoi në asnjë moment në atë periudhë kur ishim në emocion. I thashë Dakut që duhet ta kishe bërë atë gol dhe të ishim më të qetë. Sylvinho ishte aty dhe më tha që shijon më shumë kështu me emocion”.