Pogba thyen heshtjen, pas uljes së dënimit: M’u dha një shans tjetër, diçka që më ishte hequr ma kthyen

15 Tetor 2024
8:20
Alfred Lleshi
back button

“A kam menduar të shkoj të luaj në Ligue 1, pas pezullimit? Nuk e kam menduar këtë gjë, shpejt do të kthehem në stërvitje dhe pastaj në ndeshje. Jam nën kontratë me një klub, thjesht po mendoja të kthehesha, për të dalë nga kjo situatë”.

Për “L’Equipe”, Paul Pogba foli për veten nga mjediset e “Parc des Princes”, me rastin e prezantimit të filmit “Quatre Zeros”, film në të cilin do të luajë. Mesfushori francez u ndal tek ulja e skualifikimit për doping nga CAS (nga 4 vite në 18 muaj), çka do ta lejojë të rikthehet në veprim në mars 2025: “Sikur më është dhënë një shans tjetër, diçka që më ishte hequr ma kthyen”.

Mesfushori saktëson se aktualisht ka kontratë me Juventusin: “Është një perspektivë e re për jetën. Marsi është thuajse nesër, do të vijë shpejt”.

Lidhur me fjalët e Evra, i cili tha se do të telefonojë Mehdi Benatia, drejtorin aktual sportiv të Olympique Marseille, për ta marrë atë në “Velodrome”, Pogba deklaroi: “Jam ende nën kontratë, kështu që nuk është hipotezë e besueshme”.

Megjithatë, ish-mesfushori i Manchester United nuk përjashtoi një lëvizje në Ligue 1: “Ne nuk e dimë se çfarë do të sjellë e nesërmja, pse të mos luaj në Ligue 1? Nuk duhet të them jo, sepse kurrë nuk i dihet në futboll. Mbi të gjitha, objektivi im është të rikthehem në formë, sepse ka kohë që nuk luaj”.

Dhe pikërisht për këtë arsye, Kupa e Botës 2026 është ende larg mendimeve të Pogba: “Objektivi im është mbi të gjitha të rikthehem në formë, ta përqafoj sërish fushën e lojës. Ka lojtarë të tjerë në ekipin kombëtar francez, nuk ndihet mungesa e Paul Pogba, edhe pse fitoi Kupën e Botës 2018”.

Didier Deschamps ishte një nga ata që e mbështeti më shumë në muajt e fundit, nën makthin e madh të pezullimit 4-vjeçar: “Natyrisht që qëndruam në kontakt. Ai është një person që ka qenë gjithmonë aty, që më ka mbështetur gjithmonë, edhe para kësaj situate. Unë i jam shumë mirënjohës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit