Brazili krejt i ri, justifikohet trajneri Dorival: Vetëm 4 prej tyre kanë luajtur në Botërorin 2022

16 Tetor 2024
8:37
Alfred Lleshi
back button

Brazili duket se ka hyrë në “shinat” e duhura. Fitorja e arritur ndaj Kilit (2-1) e zbuti presionin mediatik, të paktën për një moment. Tani, pesë herë kampionët e botës do të sfidojnë Perunë në raundin e dhjetë të kualifikimeve të Botërorit 2026. Trajneri Dorival Júnior analizoi momentin e kombëtares që drejton:

“Ne po synojmë paraqitje më të sigurta dhe më të balancuara. Kjo do të ndodhë pas një sekuencë ndeshjesh të zhvilluara. Nuk duhet të harrojmë se nga 11 lojtarët startues kundër Kilit, javën e kaluar, vetëm 4 prej tyre ishin pjesë e formacionit titullar në ndeshjen e fundit të Kupës së Botës 2022. Për momentin jemi më të fokusuar te rezultatet e menjëhershme dhe strukturimi i ekipit”.

Peruja sigurisht që nuk është një kundërshtar për t’u marrë lehtë: “Ata kanë luajtur një ndeshje të shkëlqyer kundër Uruguajit, i cili është i treti në këtë fushatë kualifikuese. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Peruja ka lojtarë që luftojnë shumë në ajër, ka mesfushorë që mbërrijnë shumë shpejt në sulm, duke u përpjekur për të finalizuar”.

Megjithatë, Dorival nuk bën kompromis për një gjë, çka është karakteristika formuese e “Seleção” për breza të tërë. Domethënë cilësia teknike, guximi për të dribluar: “Duhet të jesh vendimtar dhe i rëndësishëm në situatat një kundër një. Ne kemi lojtarë të nivelit të lartë, që kanë aftësinë për ta përdorur teknikën e tyre në këto situate. Jemi duke u përmirësuar në aspekte të ndryshme, me lëvizje të kombinuara sipas ecurisë së ndeshjes”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit