Ata e njoftuan në TV dhe të martën në mbrëmje, Pep Guardiola e Roberto Baggio e mbajtën premtimin duke u takuar personalisht. Ata e bënë këtë në një restorant në Brescia, qytet në të cilin “bishtaleci hyjnor” dhe trajneri i Manchester City luajtën së bashku nën drejtimin e Carlo Mazzone.
Nuk e kishin takuar njëri-tjetrin personalisht prej gati 10 vitesh, ndaj gjithçka nisi me një përqafim të gjatë mes të dyve. Guardiola mbërriti në Brescia të dielën në mbrëmje dhe do të largohet të enjten në mëngjes. Me Baggio dhe Guardiolën u bashkuan edhe sulmuesit e dikurshëm të Brescia, pjesë e brezit të tyre, Caracciolo dhe Luca Toni. Në takim mori pjesë dhe menaxheri i ekipit, Piovani.
Baggio, i cili preferoi të hante mish, shoqërohej nga menaxheri Vittorio Petrone. Të dy iu dhanë të pranishmëve bluza me logon e “La Chiquita”, ferma argjentinase në pronësi të “bishtalecit hyjnor”. Me të mbërritur në shtëpi, fotot e shpërndara nga ish-kampioni italian në rrjetet sociale morën shumë “like”. Ato u shoqëruan me një koment: “Miqtë e mi, ishte mirë që ju pashë sërish”.