Barcelona dyshohet se ka transferuar një milion euro në llogarinë e një mashtruesi që paraqitet si Pini Zahavi, agjenti i Robert Lewandowski, pas nënshkrimit të sulmuesit polak.
Këtë e deklaroi SER Catalunya, e cila kreu një hetim së bashku me Paper Trail Media (Gjermani) dhe Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), një specialist në krimet ndërkombëtare.
Ngjarjet ndodhën në verën e vitit 2022, kur katalanasit nënshkruan lojtarin nga Bayern Munich për 45 milionë euro + 5 milionë bonuse. Në fund të korrikut, disa zyrtarë të klubit janë kontaktuar me email nga një adresë që mban emrin e Pini Zahavit.
Në këto emaile atij iu kërkua të depozitonte një pjesë të komisionit që i takon vetë Zahavit në Bankën e Qipros, në një llogari të ndryshme nga ajo e agjentit.
Kërkesa ishte për një milion euro dhe dërguesi kishte dërguar edhe një numër llogarie në emër të Michael Gerardus Hermanus Demon, një avokat i supozuar.
Sipas hetimeve, kjo llogari bankare është hapur në korrik 2022 nga Michael Gerardus Hermanus Demon. Megjithatë, departamenti i kontrollit të bankës e kishte bllokuar këtë transfertë sepse konsiderohej si “me rrezik të lartë”: më parë nuk kishte pasur lëvizje në atë llogari dhe nuk ishte e mundur të demonstrohej një dokument i vlefshëm për të justifikuar pagesën.
Kështu, një person që pretendonte se ishte Pini Zahavi kishte kontaktuar disa herë me bankën duke kërkuar që të liroheshin paratë, por pa rezultat. Ai kishte dërguar edhe një email me tekstin e mëposhtëm: “Demon është ndërmjetësi ynë në disa operacione futbolli dhe kompensimi për transferimin e Lewandowskit te Barcelona i takon atij”. Një përpjekje e dëshpëruar, por banka nuk e pranoi karremin.
Barcelona shpjegoi zyrtarisht se kishte qenë viktimë e një tentative mashtrimi, por gjithashtu specifikoi se paratë nuk i arritën kurrë mashtruesit: pagesa ishte bërë dhe bllokuar nga banka. Zahavi, natyrisht, pohoi se nuk e njihte fare Michael Hermanus Gerardus Demon, një burrë 51-vjeçar që jetonte në Arnhem.