Milani “votëbeson” trajnerin. Fonseca “prek në sedër” skuadrën dhe shikon përpara me optimizëm

18 Tetor 2024
11:19
Alfred Lleshi
back button

Sigurisht që nuk ka qenë një fillim i thjeshtë i sezonit për Milanin. Problemet fillestare, “rilindja” në derbin e fituar ndaj Interit, pastaj fundosja me Fiorentinën. Një boshllëk në renditje është grumbulluar, por sigurisht mund të reduktohet. Thjesht duhet pasur besim, sikurse dëshmoi klubi ndaj Paulo Fonseca.

Trajneri portugez tani ka shumë për të rrezikuar, megjithatë, sepse hapat fals nuk lejohen pa fund. Fonseca është i bindur se skuadra e tij ka vlerë shumë më të lartë se ajo që është shfaqur në fushë në këto 7 ndeshjet e para të kampionatit. Një potencial i pashprehur deri më tani.

Trajneri i kuqezinjve ka menduar se cilat fije të prekë për të marrë maksimumin nga të tijtë në ndeshjet e ardhshme. Sipas asaj që raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, trajneri kuqezi ka mbajtur një fjalim për të gjithë ekipin. Kjo ka ndodhur për herë të parë pas humbjes në Firence.

Ish-trajneri i Romës dhe Lille nuk shikon nga e kaluara, ndaj i kërkon skuadrës të fokusohet tek e ardhmja me optimizëm. Ai pret që të gjithë të japin 100% në fushë, duke filluar nga ndeshja ndaj Udinese dhe pastaj në “finalet” pasuese.

“Djalli” do të vazhdojë me sistemin e lojës së përdorur në ndeshjet e fundit, 4-2-3-1, gati për ta ndryshuar në fushë, në varësi të situatave të lojës. Ky fakt, sipas “Gazzetta”, është një mënyrë për t’i bërë lojtarët kuqezinj të kuptojnë se rruga e ndjekur është ajo e duhura. Kalendari parashikon 7 ndeshje në 21 ditë, 7 ndeshje për ta ndryshuar marshin…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit