Dëmtimi i rëndë, kritikat te Roma, huazimi në La Liga dhe kombëtarja kuqezi; Kumbulla rrëfehet në 360 gradë

18 Tetor 2024
12:39
Alfred Lleshi
back button

I intervistuar nga “Corriere dello Sport”, mbrojtësi shqiptar Marash Kumbulla ka rrëfyer aventurën e tij të pafat në Romë mes viteve 2020 dhe 2024. “Tifozët verdhekuq thjesht nuk më mbajnë mend si futbollist. Është pak e bezdisshme të marrësh kritika të ashpra.

Në Itali nuk e kam shprehur potencialin tim për një vit e gjysmë. Tani jam edhe më i mirë se kur më bleu Roma, sepse kam fituar më shumë përvojë dhe pjekuri”, – deklaroi qendërmbrojtësi aktualisht i huazuar tek Espanyol në La Liga.

Se përse gjërat nuk kanë shkuar mirë për të vitet e fundit, Kumbulla mendon kështu: “Shpjegimi është i thjeshtë; jam një lojtar që duhet të jetë në top-formë fizikisht. Pasi dëmtova rëndë gjurin, m’u deshën shumë muaj para se të kthehesha në nivele të mira. Për fat të keq, në 6 muajt me Sassuolo, ose më mirë që nga shkurti, nuk isha në gjendje të shprehesha plotësisht”.

Jo vetëm gabime dhe polemika, Kumbulla e kujton ende eksperiencën me fanellën e Romës edhe për disa momente të lumtura, aspekte pozitive: “Kujtimi më i mirë është goli ndaj Real Sociedad, në ‘Europa League’.

Më i keqi ishte përjashtimi më karton të kuq ndaj Sassuolos. Ajo goditje ndaj Berardit ishte gjest instinktiv për të cilin u pendova menjëherë. Për fat të keq, ai episod na kushtoi ndeshjen”, – shtoi lojtari i lindur në vitin 2000, i kthyer për t’u shprehur në nivele të larta.

Kumbulla shpjegoi edhe arsyet e këtij transferimi, në fakt huazimi në La Liga: “Si trajneri, edhe drejtuesit e Espanyol më kërkuan dhe më bënë të ndihem i rëndësishëm. Askush nuk mund t’ju garantojë pozicionin e titullarit të përhershëm, por kam ndjerë se klubi kishte besim tek unë. E vërteta është se edhe unë mbërrita gati, sepse kisha bërë përgatitje të mira me Romën.

E ardhmja ime? Nuk e di, të them të vërtetën. Fakti është që nuk e mendoj për këtë. Jam këtu dhe dua të kontribuoj në mbijetesën e Espanyol në La Liga. Duhet të mendoj edhe për kombëtaren shqiptare, pastaj në fund të sezonit do të shohim se çfarë është më e mira për t’u bërë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit