Messi: Kur fundi është afër, i vlerëson më shumë gjërat. Ende dua të fitoj tituj

18 Tetor 2024
13:12
Alfred Lleshi
back button

Lionel Messi është futbollisti që ka fituar më shumë trofe në historinë e futbollit. Fenomeni argjentinas mburret me 102 çmime (56 individuale dhe 46 ekipore). Së fundi mori çmimin “MARCA America”, i cili njeh karrierën e tij të jashtëzakonshme. Këto ishin deklaratat e tij gjatë aktivitetit të zhvilluar në Miami.

A e mbani mend titullin tuaj të parë si fëmijë?
Kam parë foto të trofeut tim të parë si fëmijë, por nuk e mbaj mend. Sigurisht që nuk kam qenë në dijeni të gjithçkaje që do të ndodhte. E kam dashur futbollin që kur kam qenë i vogël, është pasioni im.

A i numëroni trofetë e fituar?
Jo, nuk e bëj, ndoshta më kujtohen ato individualë. Ishte spektakolare të shikoja videon, shumë gjëra më kalojnë në kokë. Kemi pasur edhe momente të vështira, jo gjithçka është mirë, por zhgënjimet më kanë ndihmuar të rritem.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me kombëtaren e Argjentinës?
Më pëlqen të luaj futboll. Së fundi kemi luajtur një ndeshje në ‘Monumental’ të mbushur plot, të gjithë këndonin emrin tim dhe atë të shokëve të skuadrës. Kam pasur shumë momente të këqija me Argjentinën dhe jam mirënjohës për atë që po përjetoj tani. Unë jam duke përfituar nga kjo, sepse e di se dashuria që kam për këtë sport është e madhe.

Qëllimi apo ëndrra juaj e radhës?
Kam arritur t’i realizoj të gjitha ëndrrat e mia, kam fituar shumë më tepër nga sa kam ëndërruar si fëmijë. Arrita ta bëj realitet ëndrrën më të madhe të një lojtari, që është fitimi i një Botërori. Kam fituar shumë tituj në klubin tim të jetës, që është Barcelona. Fitova edhe në Paris, edhe me Inter Miami, por dua të luftoj për më shumë.

A do të jeni në Kupën e Botës 2026?
Unë nuk nxitoj, përpiqem të shijoj çdo gjë ditë pas dite. Kur të vijë koha do të shohim, nuk më pëlqen t’i nxitoj gjërat. Shpresoj të vazhdoj të luaj në këtë nivel, të ndihem mirë dhe të jem i lumtur. Kjo është më e rëndësishme se të gjitha.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit