Emërimi te Anglia, Thomas Tuchel ndahet nga krahu i tij i djathtë! E zbulon gazetari

21 Tetor 2024
0:39
Telesport
back button

Trajneri Thomas Tuchel i ka ndarë rrugët me njërin prej anëtarëve të tij më besnik pasi u shfaqën detaje nga stafi i tij i asistentëve pas emërimit në krye të Anglisë. Gjermani u konfirmua si pasues i Gareth Southgate dhe do të marrë zyrtarisht këtë rol që nga fillimi i vitit 2025.

Lee Carsley ka qenë në krye të Anglisë që prej largimit të Southgate pasi ky i fundit ishte larguar pas humbjes ndaj Spanjës në finale të Kampionatit Evropian. Kur Tuchel të marrë drejtimin e Anglisë, Carsley do të rikthehet në pozicionin e tij të mëparshëm si përzgjedhës i Anglisë U21, por fillimisht do t’i udhëheq ‘Tre Luanët’ edhe në dy ndeshje të Ligës së Kombeve ndaj Greqisë dhe Irlandës.

Një pjesë e stafit të Tuchel tashmë është konfirmuar me Anthony Barry që do të jetë asistenti i tij. Barry punoi me Tuchel tek Chelsea dhe Bayern Munich, aty ku së bashku fituan katër trofe mes të dyja klubeve.

Sipas raportimit nga Fabrizio Romano, Zsolt Low, i cili ishte asistent i Tuchel tek Bayerni dhe gjithashtu punoi me të tek PSG-ja dhe Chelsea, ka ndarë rrugët me trajnerin e ri të Anglisë. Romano ka raportuar se hungarezi Low tani pritet që të nis një rrugëtim të ri në futboll dhe dëshiron të bëhet trajner kryesor i ndonjë skuadre.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit