Barcelona e tij, e pandalshme. Flick: Çdo ndeshje është e rëndësishme, jo vetëm kundër klubeve të mëdha

21 Tetor 2024
8:53
Alfred Lleshi
back button

Pas pushimit të kombëtareve dhe para ndeshjes ndaj Bayern Munich në Chanmpions League, por edhe para “El Clasico” ndaj Real madridit, një fitore bindëse. Barça e Flick nuk lëshon fare terren për askënd. Presion, intensitet, kritere, cilësi, energji….; puna e trajnerit gjerman po jep fryte.

Sidoqoftë, Hansi nuk i largohet sjelljes së moderuar. Gjërat i merr hap pas hapi: “Çdo ndeshje është e rëndësishme, jo vetëm të luash kundër klubeve të mëdha. Sevilla ishte gjithashtu e vështirë. Jemi kthyer shumë mirë nga pushimi. Jam shumë i kënaqur me rezultatin. Sonte festojmë rezultatin dhe nesër nisim përgatitjet për ndeshjen me Bayernin”.

Gjermani zbuloi ndryshimet që kishte menduar në formacion: “Menduam se De Jong do të niste titullar, por kishte siklet dhe vendosëm që të mos rrezikonim. Mund të kishte luajtur disa minuta, por ne vendosëm për Gavin”.

Rikthimi i mesfushorit të ri ishte i veçantë: “Jam shumë i lumtur për Gavin, ishte e rëndësishme për të dhe ekipin që të kthehej. Sonte ishte momenti i tij. Duke qenë në stol, ëndrra e tij ishte të luante qoftë edhe për pesë minuta. I gjithë klubi është i lumtur për të”.

Sa i përket Eric Garcia, trajneri theksoi se ka pasur shqetësime, por “është mirë dhe shpresoj të jetë opsion për të mërkurën”. I pyetur për momentin e Robert Lewandowskit dhe duelin e tij të mërkurën me Harry Kane, trajneri gjerman nuk deshi t’i personalizojë gjërat: “Nuk do të jetë një luftë mes dy lojtarëve. Është e rëndësishme që Robert po shënon rregullisht, jam i lumtur për të”.

I pyetur nëse ata që kthehen nga lëndimet janë gati për të performuar, Hansi u shpreh me forcë: “Të gjithë lojtarët janë të përgatitur. Duhet të përgatitemi për çdo ndeshje, grupi është gati. Shpresoj që të luajnë në 100% të tyre, më pas do ta shohim rezultatin”.

Kjo Barça, vazhdimisht i lë rivalët jashtë loje. Flick e sheh punën e qendërmbrojtësve si kyçe: “Cubarsí dhe Iñigo janë shumë të fokusuar. Pau bëri një paraqitje shumë të mirë, Iñigo gjithashtu përshtatet mrekullisht me lojën tonë. Ai është një lider, si Koundé dhe Balde. Të gjithë po e bëjnë më së miri punën e tyre”.

Lidhur me Ansu Fati, trajneri vuri në dukje: “Është shumë e rëndësishme të jetë në gjendje të luajë, por pas dëmtimit nuk është e lehtë për të. Na vjen shumë mirë që është rikthyer. Do ta përmirësojë lojën e tij më shumë, por jam i lumtur”.

Për më tepër, dy golat e Pablo Torre, teksa Flick vlerësoi shkathtësinë e kantabrianit: “Pablo mund të luajë si ‘7’ dhe kjo është arsyeja pse e kemi vendosur në pozicionin e Lamine. Këto dy gola janë tepër të rëndësishëm për besimin e tij”.

E vetmja autokritikë e Flick ishte për golin e pësuar: “Duhej ta shmangnim pësimin e golit të 4-1, sepse gjithmonë duhet të ushtrojmë presion ndaj kujtdo që e ka topin”.

Një mendim edhe për sfidat e zjarrta të radhës, kundër Bayern Munich dhe Real Madridit: “Kemi idenë tonë për lojën. Çdo rival është i ndryshëm, ne i përshtatemi kësaj”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit