Sneijder sulmon Sergio Busquets me tërbim: Të godiste dhe ankohej si fëmijë, lojtar i neveritshëm

21 Tetor 2024
10:22
Alfred Lleshi
back button

Wesley Sneijder dhe Sergio Busquets dikur u përballën disa herë, kur mbanin veshur fanellat e Interit dhe Barcelonës, ​të ​kombëtares së Holandës dhe Spanjës. Tani, disa vite pas atyre përballjeve, holandezi ka bërë disa deklarata shumë të ashpra ndaj mesfushorit aktual të Inter Miami.

“Busquets ishte një lojtar jashtëzakonisht i bezdisshëm, i cili gjithmonë lejohej nga arbitrat të të godiste (ndërhynte me faulle), por kurrë nuk pranonte të trajtohej kështu. Sapo merrte një goditje, ai fillonte të qante. Po, po, ankohej si fëmijë”, – tha holandezi për “Ziggo Sports”.

Më tej, Sneijder shtoi: “Unë kam pasur zënka me të në çdo përballje. Në një moment i thashë: Këtë verë do të të takoj në Ibiza, atje do të flasim qartë”.

Ish-mesfushori i Interit në fitimin e tripletës historike zikaltër u thellua më tej: “Në vitin 2010 ne e mundëm Barcelonën 3-1 në shtëpi dhe na u desh të shkonim në ‘Camp Nou’. Tetë minuta pas startit, Thiago Motta e goditi atë dhe Busquets filloi të rrokullisej në tokë sikur ishte dëmtuar rëndë.

Ashtu i shtrirë, përmes duarve të tij shihte nëse do të ndëshkohej Motta me karton, sikurse ndodhi në fakt pa të drejtë. Më pas u ngrit në këmbë pa asnjë shqetësim, kishte simuluar qartë. Pra, një lojtar i neveritshëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit